fbpx

Takimi me Lamen/ Rama: Revolucion dixhital, pas 30 vitesh Kadastra kalon online

Një revolucion dixhital. Kështu e quajti Kryeministri Rama faktin se se tashmë pas 30 vitesh, aplikimi për të marrë dokumentin e pronës do të bëhet online në kadastra, në vetëm pak minuta.

Rama e bëri këtë njoftim gjatë një takimi me kreun e kadastrës Artan Lame.

“Do të mjaftojë tashmë një klik në https://e-albania.al dhe kadastra shtetërore do të vijë tek ju, pa ndërmjetës e pa radhë”, shkruan Rama në facebook.

Gjatë fjalës së tij, kreu i qeverisë tha se “ky avancim, ndoshta i nxitur edhe nga pandemia e koronavirusit, do t’i japa fund sekserëve, bakshisheve, pritjeve e zvarritjeve, që në 30 vjet e kthyen hipotekën, në gropën më të zezë të korrupsionit në Shqipëri, pas gjykatave e prokurorive, ku vazhdon pastrimi i thellë e tejet i vështirë po ashtu!”

“Pra në një pronces tranzicioni nuk do jetë mundësia të shkohet fizikisht për të marrë shërbime. Çdo gjë do të bëhet nga shtëpia, nga kompjuteri nga telefoni. Më parë duhet të paraqitej qytetari fizikisht, të aplikonte, të bënte pagesën, pastaj i thuhej prit dhe hajde pas kaq kohësh. Kështu ishte krijuar edhe sistemi i sekserëve dhe bishtave të llumit e korrupsionit. Me aplikimet online ka ndryshuar pjesa e parë. Në rast se duan ndihmë të mësojnë aplikimet online, mund të shkojnë në sportele për të mësuar se si të aplikohet”, tha Rama.

Postimi i Ramës në Facebook

A E BESONI DOT QË MBAROI KALVARI 30 VJEÇAR I HIPOTEKAVE DHE FALË #REVOLUCIONITDIGJITAL2020, DOKUMENTI I PRONËS DO TË MUND TË MERRET PA LËVIZUR NGA SHTËPIA OSE NGA CELULARI APO KOMPJUTERI MË I AFËRT, NË VETËM PAK MINUTA?!

E pra, më në fund ia dolëm ta mbajmë këtë zotim tejet të vështirë dhe t’i japim fund sekserëve, bakshisheve, pritjeve e zvarritjeve, që në 30 vjet e kthyen hipotekën, në gropën më të zezë të korrupsionit në Shqipëri, pas gjykatave e prokurorive, ku vazhdon pastrimi i thellë e tejet i vështirë po ashtu!

Do të mjaftojë tashmë një klik në https://e-albania.al dhe kadastra shtetërore do të vijë tek ju, pa ndërmjetës e pa radhë

Sistemi sapo është “ndezur” dhe lutja ime për të gjithë është që në këto dy javë të para testimi, pak durim nëse hasni në vështirësi gjatë marrjes së shërbimit

Siç do ta shihni edhe pagesat e shërbimeve të kadastrës do të mund t’i bëni online, përmes llogarisë suaj bankare, ndërkohë që po finalizohen marrëveshjet me të gjitha bankat e nivelit të dytë në vendin tonë

Për ata që nuk kanë kartë krediti apo debiti, mandat pagesa gjenerohet nga https://e-albania.al dhe qytetari e bën pagesën në bankë dhe e ngarkon në aplikim – pa radhë, pa vonesë, pa rryshfet