fbpx

Taksa ndaj Serbisë, thellohet përçarja mes partnerëve të koalicionit

ramush-haradinaj-kadri-veseli-facebook_1550559226-6940878.jpg

Vendimi i Qeverisë së Kosovës për vendosjen e taksës 100 për qind ndaj produkteve që vijnë nga Serbia e nga Bosnjë e Hercegovina ka bërë që krerët e partive në pushtet “të cakërrohen” mes vete. Derisa kryeministri Ramush Haradinaj po insiston në mossuspendim të taksës, lideri i PDK-së Kadri Veseli ka paralajmëruar rrëzimin e mundshëm të Qeverisë aktuale

Përplasja mes partnerëve të koalicionit qeverisës ka nisur të thellohet ditëve të fundit. Kryeministri Ramush Haradinaj e kryeparlamentari Kadri Veseli nuk kanë kursyer pa thumbuar njëri-tjetrin as në përvjetorin e 11-të të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës.

Shkak i tërë kësaj është bërë taksa e vendosur ndaj produkteve të Serbisë, për të cilën çështje dy krerët e koalicionit po vazhdojnë të kenë qëndrime krejtësisht të kundërta.

Përderisa Veseli po kërkon pezullimin e tarifës, Haradinaj nuk po heq dorë së këmbënguluri në moslargimin e kësaj mase. Si rrjedhojë, i pari i PDK-së para dy ditësh ia përmendi kryeministrit rrëzimin e Qeverisë, timonin e së cilës e mban Haradinaj.

Ndonëse sipas tij kjo nuk do të ndodhë për shkak të taksës, Veseli deklaroi se rrëzimi i Qeverisë mund të ngjajë për shkak të interesave të qytetarëve të Kosovës, shkruan Zëri.

Pas këtij paralajmërimi u raportua se kreu i ekzekutivit ka lëshuar një deklaratë ofenduese në drejtim të Veselit teksa ka dalë nga salla ku mbahej seanca.

Megjithëkëtë, i pyetur se kujt i ishte drejtuar në atë formë, Haradinaj gjatë ditës së djeshme tha se nuk i kujtohet asgjë rreth kësaj çështjeje.

Ndërkohë, se aktualisht ka mosmarrëveshje mes koalicionit e pranojnë edhe deputetët e dy partive më të mëdha të koalicionit, PDK-së e AAK-së. Ndonëse thonë se nuk është koha për të shkuar në zgjedhje, ata pohojnë se janë të gatshëm të hyjnë në një proces zgjedhor kurdo që të vijë koha.

Advertisement
REKLAMO NE REALNEWS +355 69 33 33 303