Dy persona kanë rënë në prangat e policisë ditën e sotme, pasi u konstatua se ishin tapë në timon. Jo vetëm kaq, por njëri prej tyre ka shkaktuar një aksident, duke goditur kështu një tjetër automjet.
NJOFTIMI NGA POLICIA
Arrestohen në flagrancë dy drejtues mjetesh, për drejtim mjeti në gjendje të dehur.
Specialistët e Qarkullimit Rrugor në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës, në vijim të punës për parandalimin e aksidenteve dhe ndëshkimin e drejtuesve që drejtojnë mjetin në mënyrë të parregullt, arrestuan në flagrancë shtetasit:
S.H., 49 vjeç, banues në Durrës, pasi është konstatuar nga shërbimet e Policisë, duke drejtuar mjetin tip “Skoda” në gjendje të dehur, në masën 0.90 mg/l.
E.R., 33 vjeç, banues në Durrës, pasi, duke drejtuar mjetin tip “Peugeot”, në gjendje të dehur, ka goditur mjetin tip “Benz”, duke shkaktuar dëme materiale.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprën penale “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”.