Të dhëna të reja për vrasjen e gazetarit saudit

Një shofer taksie pretendon se ka shoqëruar me makinën e tij disa prej vrasësve të dyshuar për vrasjen e gazetarit saudit Jamal Khashoggi, fillimisht nga aeroporti i Stambollit Ataturk në konsullatën saudite dhe sërish në rrugën e kthimit nga konsullata në aeroport.

Shoferi i paidentifikuar ka thënë për ‘The Sunday Times’, se gjatë rrugës së kthimit nga konsullata saudite për në aeroport, sauditët ishin të lumtur dhe po konsumonin alkool dhe cigare.

‘Ata ishin shumë të gëzuar. Ata pinë duhan dhe alkool në makinë ‘- u shpreh shoferi, i cili pretendon se një nga udhëtarët e tij në rrugën e kthimit nga konsullata saudite në Stamboll ishte një oficer i lartë i inteligjencës pranë Princit të Kurorës Saudite Mohammed bin Salman.

Turqia pretendon se një skuadër sigurie prej 15 vetësh është dërguar në Stamboll për të vrarë gazetarin Khashoggi, ndërsa Rijadi e mohon që princi i kurorës të kishte dijeni për vrasjen.

Natën e kaluar, një mik i Khashoggit deklaroi se gazetari ishte gati të zbulonte se Arabia Saudite po përdorte armë kimike në luftën e saj me Jemenin, dhe shtoi se ai dukej “i pakënaqur” dhe “i shqetësuar” në takimin që ata patën  pak përpara vdekjes së gazetarit.

Prokurori i Përgjithshëm i Arabisë Saudite do të mbërrijë sot në Turqi për të zhvilluar bisedime me hetuesit dhe pritet të diskutojë gjetjet më të fundit të hetimit me zyrtarët turq.

Lër një koment