fbpx

“Të dytët në botë, pas Rusisë që ndryshojmë Kushtetutën gjatë pandemisë”

Mazhoranca qeverisëse dhe opozita parlamentare duket se do të miratojnë në seancat e ardhshme parlamentare ndryshimin e Kushtetutës. Sot këto ndryshime për hapjen e listave të kandidatëve për deputetë janë miratuar Komisionin e Ligjeve.

Instituti i Studimeve Politike thotë se me këtë hap Shqipëria bëhet vendi i vetëm në Evropë dhe i dyti në botë pas Rusisë që ndryshon Kushtetutën gjatë pandemisë.

“Pas vetëm dy javë konsultime dhe procedurë parlamentare Kuvendi i Shqipërisë përmes Këshillit për Legjislacionin vendosi me 100% të votave të ndryshojë Kushtetutën e Shqipërisë. Shqipëria bëhet vendi i vetëm evropian dhe i dyti në botë (pas Rusisë) që ndryshon Kushtetutën në periudhën e COVID-19. Po ashtu Shqipëria bëhet vendi i vetëm në botë që ndryshon Kushtetutën me procedurë online”, thuhet në një reagim të ISP-së.

Sipas Institutit të Studimeve Politike këto ndryshime shihen gjerësisht si një instrument taktik i shumicës parlamentare në funksion të zgjedhjeve të ardhshme ndonëse miratimi i hapjes së listave është lajm pozitiv dhe koncepti i hapjes drejt qytetarit vendimmarrës do të duhej të kishte mbështetje të gjerë të të gjithë spektrit politik.

ISP thekson nga ana tjetër se këto ndryshime bien ndesh me marrëveshjen politike të arritur më 5 qershor pasi një prej pikave thelbësore të marrëveshjes ishte ajo, sipas të cilës, asnjë ndryshim tjetër nuk mund të bëhet në Kodin Zgjedhor pa miratim paraprak në Këshillin Politik.

“Ndryshimet kushtetuese nuk u diskutuan në Këshillin Politik dhe nuk janë pjesë e rekomandimeve dhe as e mbështetjes nga ambasadat e SHBA, BE dhe UK që asistuan Këshillin Politik”, thuhet në një reagim të ISP-së duke pasqyruar dhe ndryshimet që i kanë ndodhur Kushtetutës që prej vitit 1998.