‘Të hetohet ose jo’, Gjykatat përplasen për Ramën

Gjykata e Krimeve të Rënda rrëzoi kërkesën e dy shtetasve, të cilët i kërkuan trupës gjyqësore që të urdhërojë Prokurorinë, të hetojë kryeministrin Edi Rama. Irini dhe Mantho Bua humbën në shkallën e parë pas kundërshtimeve të tyre ndaj një vendimi të mëparshëm të Prokurorisë së Krimeve të Rënda që kishte vendosur mos fillim të hetimeve për Ramën.

Mos fillimi i hetimeve për kryeministrin Edi Rama ishte mollë sherri gjatë këtij viti mes tre gjykatave të cilat në lexim të paketës së reformës në drejtësi ia kaluan topin njëra-tjetrës për muaj të tërë, për të vendosur se kush prej tyre ishte kompetente.

Irini dhe Mantho Bua kallëzuan pranë Krimeve të Rënda pas pretendimeve të tyre se një leje ndërtimi e firmosur nga Edi Rama si kryetar i Këshillit Kombëtar të Territorit ishte e paligjshme. Nga ana tjetër Prokuroria e Krimeve të Rënda vendosi mos fillim të hetimeve çka solli edhe reagimin e Irini Bua dhe Mantho Bua që u ankuan në gjykatë.

Por Krimet e Rënda shpallen në muajin mars moskompetencën dhe e përcollën ankimimin në Gjykatën e kryeqytetit, e cila nga ana e saj ia delegoi gjykatës supreme me objekt zgjidhjen e mosmarrëveshjes mes gjykatave. Në 11 shtator tre gjyqtarët Xhezair Zaganjori, Edmond Islamaj dhe Medi Bici shpallen kompetente Gjykatën e Krimeve të Rënda duke iu referuar kompetencave të kësaj gjykate derisa të nisë nga puna gjykata kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Në rastin konkret, kolegji penal vlerëson se kërkesa me objekt shfuqizimin e vendimit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda për mos fillim të procedimit penal nr 343 viti 2017 që i përket shtetasve Irini dhe Mantho Bua mbi veprën penale të supozuar se është kryer të korrupsionit pasiv të funksionareve shtetërore, parashikuar nga neni 260 i kodit penal është në kompetencë të Gjykatës për krimet e rënda dhe nuk mund te gjykohet nga Gjykata e Tiranes.

Pas këtij vendimi nga Gjykata e Lartë shqyrtimi i ankesës se çiftit Bua zgjati tre seanca. (TCH)

Lër një koment