Të kishin gojë të flisnin! Librat në mëshirë të fatit

5-4.jpg

Shtëpia e librit në vendin tonë është degraduar ndër vite.

Bibliotekat anëembanë vendit janë lënë në mëshirë të fatit me godina të amortizuara, me libra të vjetër, me lagështirë dhe pa asnjë titull të ri të shtuar. Të lëna në varësi të pushtetit vendor, me shumë pak fonde në dispozicion, ofrojnë vetëm libra të vjetër, gjë që ka sjellë që gjithnjë e më pak lexues t’u drejtohen. Këtë e vërteton edhe studimi më i fundit i INSTAT, ku nxjerr që lexueshmëria në Shqipëri është në nivele katastrofike, ku 1 milion shqiptarë nuk kanë lexuar asnjëherë asnjë libër.

“Fiks Fare” bëri një vëzhgim në disa qytete për të parë nga afër gjendjen e këtyre bibliotekave. Thuajse të gjitha bibliotekat në vend vuajnë për mungesë fondesh, kanë tituj librash shumë të vakët dhe ambiente të amortizuara. Braktisjes nuk i ka shpëtuar as Biblioteka Kombëtare.

Biblioteka e Durrësit “në dyluftim” me kabllot elektrikë
Kjo bibliotekë është hapur për të parën herë në 1945 dhe në vitin 2018 është në po të njëjtat ambiente. Mes lagështirës, fondi i kësaj biblioteke që dikur ishte 5000 tituj, sot ka arritur 270 mijë, në po të njëjtën sipërfaqe e në kushte edhe më të degraduara. Ajo që vihet re në këtë bibliotekë është se nga momenti në moment ajo mund të përfshihet nga flakët, për shkak se sistemi elektrik i ka të gjitha kabllot jashtë.

Biblioteka e Pogradecit, 8 vite pa një libër të ri
Biblioteka e qytetit të Pogradecit “Mitrush Kuteli” nuk mbetet pas përsa i përket degradimit. Aktualisht, uji pikon nga të gjitha anët, ngrohje nuk ka, librat janë të lagur dhe të dëmtuar. Duke qenë se këto 8 vitet e fundit nuk është blerë asnjë titull i ri dhe librat ekzistues janë dëmtuar prej ujit, fondi i librave në këtë bibliotekë është zvogëluar jashtëzakonisht shumë, duke bërë që ajo të ketë më pak libra se bibliotekat e 3 shekujve më parë.

Biblioteka e Vlorës noton në ujë
E themeluar më 1946, me rreth 50 mijë ekzemplarë titujsh, biblioteka e Vlorës “Shevqet Musaraj”, pas vitit 1997 është shkatërruar pothuajse plotësisht. Nga 120 mijë ekzemplarë librash, revistash dhe koleksionesh ajo është katandisur sot në 23 mijë.
Gjatë 30 viteve të fundit biblioteka e Vlorës ka lëvizur në disa godina. Në vitin 2000, atë e zhvendosën në dy katet e poshtëm të një pallati me pesë kate në lagjen “28 nëntori” të qytetit të Vlorës, ku gjendet edhe sot. Këto mjedise u përshtatën për salla biblioteke, por për vetë pozicionin që ka, biblioteka është përmbytur disa herë gjatë viteve të fundit me pasojë humbjen e 5000 titujve. Përgjegjësi i bibliotekës sqaron për “Fiks Fare” se fondi që bashkia u ka vënë në dispozicion për blerjen e librave të rinj varion nga 1 deri në 3 milion lekë, fond i pamjaftueshëm. Madje nga buxheti i vogël, libërlidhësja bën njëkohësisht edhe sanitaren.

Por, nën ujë përfundoi edhe Biblioteka Kombëtare ku planet e librave të varur në tela për t’u tharë u bënë virale në rrjetet sociale. Edhe pse një bibliotekë me fonde edhe më të mëdha se të tjerat prapë nuk u kursye nga reshjet e shiut, si pasojë e amortizimit të godinës. “Fiks Fare” këmbënguli disa herë që të mund të xhironte brenda ambienteve të BKSH-së, por kjo nuk i është lejuar. Me një përgjigje me shkrim BKSH shkruan se gjendja aktuale mbetet kritike.

 

 

 

 

 

 

Advertisement
REKLAMO NE REALNEWS +355 69 33 33 303