Të moshuarit e të sëmurët në radhë për kartë identiteti

Qytetarët, sidomos të moshuarit që nuk mund të marrin pensionin, kanë mbushur zyrat e aplikimit për kartë identiteti edhe në fundjavë.

Mes tyre ka edhe të sëmurë që duhet të paraqiten në zyrat e aplikimit për të rinovuar kartën e identitetit dhe janë të detyruar të qëndrojnë në radhë për disa orë.

“Kemi që në orën  8 këtu. Me burrë të sëmurë me shkop dhe nuk e fut njeri brenda”

“Unë e kam gruan të sëmurë, duhet të vij bashkë me të”

Në të njëjtën kohë qytetarët kanë ankesa për radhën e gjatë si dhe për procedurën e ndjekur që sipas tyre krijon vetëm kaos dhe vonesa.

“U desh një letër tjetër, unë nuk e dija. Kam blerë kuponin, pas kuponit më tha duhet kartë identiteti”

Të moshuarit ankohen se në njësinë 9 nuk ka kushte për të pritur në radhë dhe për ta është e vështirë të ngjitin shkallët për shkak të moshës.

“Nuk ka ndriçim, s’ka vend ku të presësh. Që në ngjitje, të gjithë pleqtë mezi ngjiten”

Radhë të gjata në sportele u krijuan pas njoftimit të Ministrisë së Brendshme, se 1.4 milion dokumente identiteti skadojnë brenda 6 muajve të parë të vitit 2019 dhe duhen rinovuar që qytetarët të marrin shërbimin që kërkojnë. (real-news.tv)