‘Të shkulet memoriali turk sa më parë’, Ngjela paralajmëron Ramën

Avokati i njohur Spartak Ngjela ka reaguar ashpër pas vendosjes së memorialit turk në Kodrën e Liqenit të Tiranës. Sipas tij kryeministri Rama duhet të përgjigjet sa më parë për këtë gjë ose në të kundërt ka një marrëveshje sekrete.

“Ku e gjen të drejtën Ambasada e Turqisë për të bërë një marshim antishqiptar në Tiranë se na paska shpëtuar Erdogani nga një grusht shteti? Ç’i duhet Shqipërisë dhe shqiptarëve është apo nuk është Erdogani në pushtet në Turqi! Shqiptarët as që duan t’ia dinë kë rrëzon Erdogani e kush kërkon ta rrëzojë Erdoganin.

Kryeministri Rama duhet të përgjigjet, në të kundër këtu ka një marrëveshje sekrete, e cila është krim shtetëror. Deri tani shteti shqiptar nuk është përgjigjur. Ministria e Jashtme thotë “nuk di gjë”.

Po pse, çfarë është Shqipëria, një terra nullis, tokë e askujt? Me që qeveria shqiptare nuk pranon të përgjigjet, sepse siç duket, e di veten një këshill mbretëror me fuqi absolute, është i detyruar t’i përgjigjet opinionit publik kryetari i Kuvendit të Shqipërisë: çfarë është ky memorial turk fyes për shqiptarët që vendoset në Tiranë? Dhe të vendosë shkuljen e tij, sa më shpejt që të jetë e mundur”, shkruan Ngjela.