Hakmarrje mes bandave / Të shtëna me armë në Vlorë, 2 të vdekur, 1 i plagosur

Të shtëna me armë zjarri janë raportuar mesditën e sotme në zonën e “Ujit të Ftohtë” në Vlorë.

Kanë qenë banorët e zonës që kanë raportuar pranë uniformave blu për të shtëna me armë, nga ku më tej u zbulua bilanci i rëndë me dy viktima dhe një të plagosur.

Viktima të këtij atentati mbetën personat me inicialet A.R dhe A.H, ndërsa i plagosuri është me inicialet A.S.

Trupat e viktimave janë mbuluar nga policia, të cilët ndodhen rreth 2 metra larg njëri-tjetrit.

Një i vdekur është gjetur në një makinë Passat, ndërsa tjetri në rrugë. Nuk dihet ende nëse ka pasur përleshje të armatosur mes palëve.

Mësohet se i plagosur është transportuar për në spital dhe ndodhet në gjendje kritike për jetën.

Dyshohet të ketë pasur një konflikt mes personave të përfshirë në ngjarje, por pritet të mësohen më shumë detaje nga Policia e Vlorës e cila ka mbërritur në vendngjarje.

Një makinë e djegur është gjetur në fshatin Babicë të Vlorës.

Dyshohet që automjeti të jetë përdorur gjatë atentatit nga autorët dhe të jetë djegur më tej prej tyre në një distancë të largët, për të humbur gjurmët.

Kush është “Çipuri” dhe saga e hakmarrjes së Llanajve….

Armando Sulejmani, i njohur me nofkën “Çipuri”, i cili mbeti i plagosur sot në një atentat me armë i kishte shpëtuar një tjetër atentati në 23 maj 2016.

Atentati ndaj tij ndodhi  në hyrjen e pallatit ku ai banonte, teksa ishte duke zbritur nga shtëpia në oborrin e pallatit.

Sulejmani u plagos në dorë. Errësira ndihmoi edhe 2 atentatorët e maskuar të largohen menjëherë nga vendi i ngjarjes.

Teksa u tha se njëri prej tyre është plagosur pasi edhe Sulejmani ka qenë i armatosur dhe ka qëlluar ndaj tyre.

Asokohe Sulejmani sapo kishte dalë nga burgu.

Ai ka qenë i dyshuar për atentatin ndaj Ferdinand Llanajt. Në vitin 2002 Sulejmani u dënua me 20 vite burg për akuzën e vrasjes.

Ndërkohë, ngjarja e sotme te “Uji i Ftohtë” mendohet të ketë si motiv hakmarrjen, vazhdim i sagës së Llanajve.

Dyshohet se njëri nga viktimat, Aurel Hoxha është kunati dhe Arjan Hasani shkoku i ngushtë i 42-vjeçarit.

Sipas të dhënave nga grupi i hetimit shënjestra e atentatit ka qenë Sulejmani.

Në janar të këtij viti në një tjetër atentat në Vlorë mbeti i plagosur Mikel Mehmeti nga Selenica e Vlorës, njohur si anëtar i bandës së Llanajve.

Llanajt njihen për masakrën e Çolës, ku pas një sherri në kazino në prill të vitit 2015, u vranë 3 të rinj.

Një nga autorët e masakrës është Aleksandër Llanaj, që po vuan dënimin në burg.

real-news.tv)