Tensioni Rusi-Ukrainë, Trump mund të anulojë takimin me Putin

Ndërsa tensionet mes Rusisë dhe Ukrainës janë rritur pas veprimeve të fundit në Krime, presidenti amerikan Donald Trump ka paralajmëruar se mund të anulojë takimin me presidentin rus Vladimir Putin në samitin e G20 në Buenos Aires.

Pasi Rusia kapi tre anije ukrainase në detin Azov, bashkë më ekuipazhin e tyre, duke i akuzuar për shkelje, presidenti i Ukrainës nënshkroi një akt që vendos ligjin ushtarak në rajonet kufitare të mërkurën.

Zëdhënësi i presidentit Petro Poroshenko konfirmoi se kishte nënshkruar aktin, i cili vendos ligjin ushtarak për 30 ditë në 10 rajone që kufizojnë Rusinë, Detin e Zi dhe Detin Azov.

Masa erdhi pasi u paralajmërua vendosja e forcave ruse pranë kufijve të Ukrainës, duke përshkallëzuar krizën më të rrezikshme midis ish-fqinjëve sovjetikë.

Qeveritë perëndimore kanë akuzuar Rusinë se ka vepruar ilegalisht në kapjen e tre anijeve dhe Trump ka thënë se po shqyrton anulimin e bisedimeve të planifikuara me Putin në samitin e G20 në Buenos Aires.

Trump tha se do të merrte një vendim përfundimtar pas dëgjimit të një raporti nga këshilltarët e sigurisë kombëtare për incidentin e kësaj jave.

“Raporti do të jetë vendimtar. Ndoshta nuk do të zhvilloj takimin. Nuk më pëlqen agresioni”- tha Trump për Ëashington Post.

Ndërsa zëdhënësi i Kremlinit Dmitri Peskov tha se takimi mes Trump dhe Putin do të mbahet siç është planifikuar.

“Përgatitjet po vazhdojnë, takimi është dakortësuar, nuk kemi ndonjë informacion tjetër nga kolegët tanë amerikanë,” tha Peskov gjatë një konference.

Anijet patrulluese të kufirit rus sulmuan dhe kapën tre anijet e Ukrainës, së bashku me 24 marinarë, të dielën në brigjet e Krimesë.

Anijet ukrainase po përpiqeshin të kalonin përmes ngushticës së Kerçit nga Deti i Zi për në Detin Azov, por iu refuzua qasja dhe u ndoqën në ujërat ndërkombëtare nga 10 anije ruse.

Poroshenko tha të martën se numri i njësive ruse pranë kufirit me Ukrainën ishte “rritur në mënyrë dramatike”, me një rritje të trefishtë.

Incidenti i së dielës është konfrontimi i parë i madh në det në konfliktin afatgjatë që ndau Ukrainën kundër separatistëve të Moskës dhe Rusisë në lindje të vendit.

Incidenti ka rritur frikën për një përshkallëzim më të gjerë dhe ndërkombëtarët kanë bërë thirrje për qetësim të situatës.

Zyrtarët ushtarakë rusë thanë të mërkurën se Moska së shpejti do të vendoste më shumë sisteme të avancuara të mbrojtjes ajrore në Krime.

Kievi ka kërkuar me zemërim kthimin e anijeve dhe lirimin e marinarëve të saj, por të martën një gjykatë në Krime ka urdhëruar 12 prej tyre të mbahen në paraburgim për dy muaj.

Tre marinarë detarë të shtruar në spital gjithashtu do të mbahen zyrtarisht për dy muaj. Pjesa tjetër pritet të dalin para gjykatës.

Rusia ka akuzuar marinarët që hynë në mënyrë të paligjshme në ujërat ruse, në atë që zyrtarët në Moskë thanë se ishte një provokim i planifikuar nga autoritetet ukrainase.

Qeveritë perëndimore kanë  akuzuar Rusinë për bllokimin ilegal të qasjes në Detin e Azov dhe se ka ndërmarrë veprime ushtarake pa justifikim.

Bashkimi Europian, Britania, Kanadaja, Franca, Gjermania dhe të tjerët shprehën mbështetje ndaj Kievit.

Putin ka fajësuar Kievin lidhur me këtë incident, duke paralajmëruar Ukrainën kundër çdo akti “të pamatur” të mëtejshëm.

Lër një koment