Tërmet i fuqishëm godet Filipinet

Një tërmet i fuqishëm prej 6.4 ballësh ka ndodhur sot afër ishullit kryesor të Filipineve, Mindanao.

Instituti Gjeologjik i Shteteve të Bashkuara njoftoi se tërmeti u regjistrua rreth tetë kilometra larg qytetit Columbio dhe bazën e kishte 13 kilometra në thellësi të Tokës.

Autoritetet nuk kanë ngritur ndonjë alarm për cunami, ndonëse Qendra Paralajmëruese e Paqësorit për Cunami, me bazë në Hawai, njoftoi se fuqia fillestare e tërmetit ishte 6.7 shkallë Rihter.

Filipinet janë ndër shtetet më të goditura nga tërmetet dhe vullkanet në botë për shkak të shtrirjes gjeografike në të ashtuquajturën “Unazë e zjarrtë”, e cila është zona me aktivitetin më të lartë sizmik në planet.