Tërmeti çan tokën në Durrës, banorët të tmerruar, ja ç’po del nga nëntoka…

Durrësi ishte një nga zonat më të goditura nga tërmeti. Pikërisht në fshatin Jubë tërmeti ka shkaktuar edhe çarje të mëdha të tokës.

Me një terren të vështirë me baltë dhe rreth 60 minuta në këmbë në grykëderdhjen e lumit Erzen sheh tokën që është e çarë gati një metër gjerësi.

Dritani, një banor i fshatit, thotë se para 26 nëntorit ky segment ka qenë i kalueshëm, ndërsa sot është një rrezik.

“Ka qenë shumë e hapur, është mbyllur me levë nga ne. Atje ka gjatësi prej 100 metra e hapur komplet. Nuk ka qenë e çarë. Është bërë ditën e tërmetit, nuk ka ndodh ndonjëherë”.

Një tjetër banor i këtij fshati teksa na tregon për fuqinë e tërmetit shprehet se atë natë doli ujë me presion nga toka.

“Nuk dinim se çfarë është, pastaj shpërtheu atje te shkallët përpara. Thashë po na shpërthe brenda në shtëpi.”

“Na tmerroi për momentin, thanë se ka dalë edhe si flakë.”

“Ujë dhe gaz.”

Fenomeni i pazakontë ka lënë të habitur të gjithë banorët.

“Jam 60 vjeç dhe këtë nuk e kam parë ndonjëherë. Ka qenë frikë e jashtëzakonshme.”

Ashtu si dhe në Kanalin e Kuçedrës, edhe në këtë zonë, pranë shtëpive janë krijuar gropa përmes të cilave ka dalë ujë edhe gaz.

“Në momentin që ka rënë tërmeti këtu ka dalë uji i zi.”

Banorët e këtij fshati kërkojnë ekspertët që të vlerësojnë zonën nëse është ose jo e pabanueshme.