Tërmeti dhe shkatërrimet në Tiranë dhe Durrës, Kryemadhi: Pse nuk ka arrestime?

Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi nga Lezha foli për tërmetin e 26 nëntorit. Ajo u shpreh se në pranga po shkojnë arkitektë dhe ndërtues, por ende asnjë punonjës apo kryetar bashkie as në Durrës dhe as në Tiranë.

“Kjo prokurori, e cila para ca ditësh arrestoi nja 35 arkitektë dhe ndërtues por nuk pamë asnjë të arrestuar nga bashkia e Durrësit, as firmë ndërtimi të bashkisë së Durrësit. Nuk pamë të arrestuar as ndonjë punonjës të bashkisë së Tiranës, apo kryetar bashkie të Tiranës, ku suvatë e ndërtimit të tyre ju ranë në kokë nxënësve. Kjo prokurori me dy standarde duhet të kuptojë shumë mirë që nuk mund të vazhdojë kështu pafundësisht sepse revolta popullore zien çdo ditë.

Nuk është vonë për të ndryshuar dhe vendosur përballë drejtësisë çdo kriminel politik që kthen administratën publike në një vegël kriminale në funksion të bandave të krimit të organizuar, në funksionon të pastrimit të parave të krimit të organizuar dhe në funksion të trafikut të dr.og.ës që çdo ditë e më shumë po e rrënon Shqipërinë. Ky që mori timonin me brekushe dhe atlete nuk paska pasur hallin për të pasur timonin dhe tepsinë për të drejtuar, por paska pasur hallin për të grabitur pronat, mundin dhe djersën e shqiptarëve”, tha ajo