Test poligrafi për shtetarët e lartë

Nga Eduard Zaloshnja/ Situata të jashtëzakonshme kërkojnë mjete të jashtëzakonshme. Ky është justifikimi i përdorur për aktin normativ drakonian “anti-KÇK”, i cili, me gjasë, do të kthehet në ligj brenda 45 ditësh. Dhe situata e krimit të organizuar është vërtet e jashtëzakonshme.

Por e jashtëzakonshme është edhe situata e perceptimit të publikut mbi korrupsionin në nivelet e larta shtetërore. Sipas Transparency International, mbi 80% e shqiptarëve mendojnë se në ato nivele mbizotëron korrupsioni.

Për ta provuar gabim këtë perceptim, Kuvendi mund të miratojë një ligj sipas të cilit, të gjithë njerzit në postet më të larta të shtetit (president, kryeministër, ministra, kryeparlamentar, kryetarë grupesh parlamentare, gjykatës, prokurorë të lartë etj.) duhet të testohen në poligraf (“makinën e së vërtetës”) një herë në vit (FBI trajnoi 5 specialistë shqiptarë për përdorimin e poligrafit).

Në rreth 95% të rasteve, poligrafi të nxjerrë të pastër, kur je vërtet i pastër. Në 5% të rasteve mund të nxjerrë “pis” kur, në fakt, je i pastër. Ama, në qoftë se je “pis”, me 99.9% siguri ta zbulon “pisllëkun”. Dhe testi nuk zgjat më shumë se 2 orë…

Në qoftë se një test i tillë u bëhet zyrtarëve të lartë, a do të dalin 95% e tyre të pastër?