fbpx

Thaçi dekreton emrin për Kryeministrin e ri të Republikës së Koësovës

thaci-hashim-600x360.jpeg

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, ka bërë të ditur se ka dekretuar Avdullah Hotin për kryeministër të Kosovës.

Përmes një konferencë për media, Thaçi ka thënë se vendimi për t’i dhënë mandatin për të udhëhequr me qeverinë LDK-së është në përputhje me Kushtetutën.

Presidenti thekson se kreu i LDK-së Isa Mustafa, ia ka konfirmuar se mbështet të gjitha kriteret mbizotëruese për krijimin e qeverisë së re duke përfshirë edhe kriterin e sigurimit të shumicës parlamentare.

“Siç edhe jeni të informuar edhe nga konsultimi që zhvillova të mërkurën me liderët e të gjitha partive parlamentare, që përfaqësojnë vullnetin e zgjedhjeve të 6 tetorit. Të gjitha këto parti, vlerësojnë që Kosova duhet të ketë qeveri të re, me përjashtim të një partie politike. Prandaj, pas letrave që i kam drejtuar kryetarit të LDK-së, praktikë e mëhershme drejtuar edhe partisë që ishte e para në zgjedhjet e 6 tetorit, sot kam marrë një letër nga kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, përmes së cilës, ai konfirmon se mbështet të gjitha kriteret mbizotëruese për krijimin e qeverisë së re duke përfshirë edhe kriterin e sigurimit të shumicës parlamentare. Në përputhje me këtë letër, sapo kam dekretuar Avdullah Hotin për kryeministër”, ka thënë Thaçi.

Sipas tij, mocioni i mosbesimit ka qenë legjitim dhe pas shkarkimit të qeverisë, do të veprojë sipas kushtetutës për qeverinë e re.

“Në këtë kohë, mocioni i mosbesimit ndodhi me 2/3 e deputetëve. Ka qenë legjitim dhe me përputhshmëri me rendin kushtetues. Në ditët në vijim, një qeveri tjetër e re mund të votohet në Kuvendin e Kosovës. Sërish në përputhje të plotë me Kushtetutën e Kosovës dhe me rendin demokratik të republikës sonë, duke marrë parasysh legjitimitetin e qartë nga deputetët dhe nga zotimi i dëshmuar sot nga shumica e re parlamentare të dalë nga zgjedhjet e 6 tetorit”, ka thënë presidenti. Ndërkaq, sipas dekretit të nënshkruar nga presidenti, Hoti i propozohet Kuvendit të Kosovës kandidat për kryeministër për të formuar Qeverinë e Kosovës.

“Kandidati nga pika 1 e këtij Dekreti, jo më vonë se 15 ditë pas emërimit, i paraqet Qeverisë para Kuvendit të Kosovës dhe kërkon miratimin e Kuvendit”, thuhet në dekret.

Thaçi ka folur edhe për situatën pandemike COVID-19 në vendin tonë.

“Kosova po përballet me COVID19, e cila na ka bërë të gjithëve bashkë. Shpreh mirënjohje të thellë për të gjithë, policët, mjekët, infermierët, FSK, e gjithë ata që janë përkujdesur në shërbim të qytetarëve”, thekson Thaçi.

Advertisement
REKLAMO NE REALNEWS +355 69 33 33 303