Thaçi: Kosova ka përmbushur kriteret për viza

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, mori pjesë në konferencën vjetore të prokurorëve, ku deklaroi se Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizim të vizave duke përfshirë edhe luftën kundër krimit e korrupsionit, por vendimmarrja nuk po ndodhë për shkak të mungesës së unitetit të shteteve të BE-së.

Thaçi duke iu drejtuar prokurorëve, tha se nuk duhet të punojnë vetëm për të përmbushur kriteret për liberalizim të vizave, por për të forcuar shtetin e Kosovës dhe ruajtjen e dinjitetit të qytetarëve.

Ai tha se nëse prokurorët e kryejnë punën me përkushtim, është i bindur se Kosova do të jetë një vend më i fortë dhe më i mirë për të jetuar.

Kreu i shtetit ka folur edhe për krimet e luftës, ku tha se Kosova si asnjë vend tjetër ka kaluar në sistem të drejtësisë në faza të ndryshme për më tepër se 20 vite.

Ai tha se ka pasur lëshime në procesin e ndjekjes së atyre që kanë kryer krime lufte në Kosovë, ku shtoi se përveç lëshimeve në kuptim të mosefikasitetit në punë, ka pasur edhe një selektim në drejtësi, që sipas tij, janë ndjekur më shumë shqiptarët si viktima që kanë qenë.

Thaçi tha se në Kosovë janë mbi 13 mijë civil të vrarë, mbi 20 mijë gra të dhunuara, mbi 1 mijë fëmijë të vrarë dhe mbi 400 masakra, e për të gjitha këto ai theksoi se nuk ka ndodhur drejtësi.

Ai shtoi se është mirënjohës shteteve të Quintit që pas 20 vitesh folën për masakrën e Reçakut publikisht, për çka tha se më mirë vonë sesa kurrë.