Thaçi kundër vendimit për taksën 100%, ja argumentimi

Taksa e Kosovës 100% ndaj prodhimeve serbe dhe boshnjake ka ndarë politikën atje. Së fundmi ka qenë Presidenti kosovar Hashim Thaçi i cili e ka kritikuar ashpër qeverinë e Haradinajt.

Presidenti i Kosovës shkroi në Facebook se “tekat personale” të asnjë udhëheqësi nuk duhet të prekin interesin shtetëror dhe atë strategjik të SHBA-së për Kosovën e më gjerë.

‘Suksesi historik i Kosovës do të ishte i pamundur pa ndihmën e Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve tjerë perëndimorë. Por përkrahja amerikane nuk mund të konsiderohet e pakushtëzuar në rast se ne bëjmë gabime që i vënë në pikëpyetje interesat dhe vlerat amerikane në Kosovë, rajon dhe Europë,

Kjo situatë është për të ardhur keq, ndaj tani është momenti t’i respektojmë këshillat miqësore amerikane, të cilat synojnë fuqizimin e shtetit të Kosovës dhe paqes së rajonit, vazhdon mesazhi ku theksohet gjithashtu se as arroganca e treguar në raport me Bashkimin Evropian “nuk e nderon shtetin dhe as nuk i bënë krenarë aleatët tanë dhe SHBA-në”, ka shkruar ndër të tjera Thaçi. /Real-news.tv/