fbpx

Thaçi pret kryeministrin Rama në presidencë

Pas takimeve maratonike me drejtuesit e institucioneve të Kosovës dhe drejtuesit e partive politike, kryeministri Edi Rama është takuar dhe me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, të hënën në mbrëmje.

Më herët gjatë ditës, Rama ka thënë përmes një postimi në rrjetin social, Twitter se qëndron në Kosovë për të biseduar rreth aktakuzës për krime lufte që ka paraqitur Zyra e Prokurorit Special kundër presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli.

“Në Prishtinë, për të dëgjuar dhe mësuar më shumë pas fletë-rrufesë speciale që do të hyjë si njollë turpi e shekullit XXI në historinë botërore të drejtësisë, e cila praktikën e akuzës publike pa aktakuzë juridike e ka njohur veç në epokat e sundimeve ideologjike a para tyre!”, ka thënë Rama në Twitter.

Rama është takuar edhe me kryetaren e Kuvendit të Kosovës Vjosa Osmani, kryeministrin Avdullah Hotin, kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës Kadri Veseli dhe kryetarin e Nismës për Kosovën, Fatmir Limaj.

Javën e kaluar, Zyra e Prokurorit të Specializuar ka njoftuar se më 24 prill u ka dërguar Dhomave të Specializuara të Kosovës, me seli në Hagë, një aktakuzë me dhjetë pika për shqyrtim, në të cilën Thaçi, Veseli dhe të tjerë akuzohen për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte.