Thirrje e 111 eurodeputetëve: Britanikë qëndroni në BE

Brexit.jpg

Më shumë se 100 deputetë të PE-së kanë nënshkruar një letër që u drejtohet qytetarëve britanikë duke u kërkuar të rishikojnë vendimin e tyre për t’u larguar nga Bashkimi Europian.

Britania e Madhe pritet të largohet nga BE-ja më 29 mars, por vendi është i ndarë thellësisht mbi çështjen Brexit, ku parlamenti britanik do të zhvillojë nesër një votim thelbësor, marrëveshjen e ndarjes të arritur nga kryeministrja Theresa May me Brukselin.

Në këtë letër, deputetët e BE-së shprehin shqetësimin mbi “katastrofën që sjell Brexit që është e dëmshme si për Britaninë e Madhe edhe për Europën”.

“Ne nuk duam të hyjmë në politikën tuaj të brendshme, por nuk mund të mos shohim se sondazhet e opinioneve tregojnë shifra në rritje të votuesve që duan mundësinë e një rishikimi mbi vendimin për Brexit”, theksohet në këtë letër.

“Ne ju lutemi që për interesin e gjeneratës së ardhshme të rimendoni daljen nga BE”, thuhet në një letër të eurodeputetëve, që publikohet të hënën në Britainnë e Madhe. Çdo vendim britanik për të qëndruar në BE do të pritej me ngrohtësi nga ne”, thanë deputetët, duke vlerësuar ndikimin gjigant që kanë pasur politikanët dhe qytetarët britanikë mbi projektet europiane.

Deri tani, 111 deputetë të BE-së kanë nënshkruar këtë letër, nga një total prej 751 anëtarësh të Parlamentit Europian./real-news.tv/

scroll to top