Thirrje për vëllavrasje në 30 qershor, ja 3 akuzat ndaj Kreut të PD

Policia e Elbasanit ka proceduar penalisht në gjendje të lirë kreun e PD-së të kësaj dege Aurel Bylykbashin. Veprat penale që rëndojnë mbi Bylykbashin janë “Thirrje publike për veprime të dhunshme”, “Pengimi me dhunë i veprimtarisë së partive politike” dhe “Pengimi i subjekteve zgjedhore”.

Kreu i PD-së Elbasan 2 ditë më parë në një fjalim të tijin të mbajtur në një takim të Aleancës për Mbrojtjen e Lirisë dhe Demokracisë tha se nuk do të lejohet mbajtja e zgjedhjeve monopartiake, sipas tij dhe pengimi i tyre do të ndodhë me çdo kusht, dhe sikur të ketë vëllavrasje.

Njoftimi i plotë i policisë:

Specialistët për Hetimin e Krimit Kundër Personit, në DVP Elbasan proceduan penalisht në gjendje të lirë për veprat penale “Thirrje publike për veprime të dhunshme”, “Pengimi me dhunë i veprimtarisë së partive politike” dhe “Pengimi i subjekteve zgjedhore”, shtetasin A.B., 53 vjeç, banues në Elbasan.

Në media dhe rrjete sociale ai ka bërë thirrje për veprime të dhunshme dhe pengim të procesit të votimit më datë 30 qershor 2019.

Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës Parë Elbasan, për veprimet e mëtejshme.