Tijuana në protestë kundër dhe pro emigrantëve

p06s615n.jpg

Qindra banorë të qytetit meksikan të Tijuanës, në kufi me Shtetet e Bashkuara, kanë dalë nëpër rrugë në shenjë proteste ndaj ardhjes së mijëra emigrantëve që po tentojnë të hyjnë në Amerikë. Ata i kanë bërë thirrje emigrantëve të largohen nga Tijuana për në Kaliforninë jugore.

Emigrantët janë pjesë e karvanit me amerikano-qendrorë, të cilët kanë udhëtuar përmes Meksikës për të mbërritur në Shtetet e Bashkuara, ku synojnë të kërkojnë azil. Për shkak të mbërritjes së tyre, Amerika dhe Meksika së bashku kanë ndërmarrë masa të ashpra sigurie në pikat kufitare.

Kryebashkiaku i Tijuanës, Juan Manuel Gastelum tha se pritet që numri i emigrantëve që do të mbërrijnë në qytet në javët në vijim të arrijë deri në 10 mijë, duke paralajmëruar se qyteti nuk është i përgatitur për të menaxhuar një “ortek” të tillë njerëzor.

Strehat e qytetit të ngritura për emigrantët janë tejmbushur, ndërsa autoritetet kanë kërkuar ndihmë nga qeveria qëndrore.

Presidenti Trump iu referua fjalimit të kryebashkiakut të Tijuanës.

“Kryebashkiaku i Tijuanës në Meksikë sapo theksoi se qyteti i tij nuk është i përgatitur për të menaxhuar kaq shumë emigrantë, gjë që mund të zgjasë për 6 muaj. Po ashtu, edhe Shtetet e Bashkuara nuk janë të përgatitura për këtë pushtim, ndaj nuk do ta pranojmë. Ata janë duke shkaktuar probleme të mëdha në Meksikë. Kthehuni në shtëpi!”- shkroi ai në Twitter.

Qëndrimet kundra emigrantëve janë vërejtur tashmë edhe nëpër rrugët e Tijuanës. “Ata janë pushtues, janë të armatosur. Duhet të ikin nga vendi ynë”, -thërrisnin protestuesit.

Megjithatë, jo të gjithë po protestonin kundër emigrantëve. Një protestë më e vogël u mbajt gjithashtu në mbështetje të emigrantëve, të cilët thonë se po ikin nga persekutimi, varfëria dhe dhuna në vendet e tyre në Honduras, Guatemala dhe El Salvador.

scroll to top