Tirana-Partizani, derbi me plot fytyra të reja!

partizani-tirana.jpg

Derbi po afron, për Tiranën dhe Partizanin është ndeshja e jetës, përballja e një rivaliteti të jashtëzakonshëm, që shton aktet e një tradite të pasur me histori e emocione. Të dyja skuadrat vijnë në këtë derbi me ndryshime e pa dyshim që shokët e skuadrës do t’ua kenë shpjeguar edhe të ardhurve më të rinj domethënien dhe rëndësinë e derbit.

Natyrisht, radha e më të kuotuarve nis nga sulmi, si protagonistët më të mundshëm për të vënë firmën në derbi. Te Partizani janë sulmuesit e huaj. Theofilius Solomon, vetëm një gol në 3 ndeshje për të në kampionat, nëse Lerda e thërret në mision mund të provojë të fitojë në një takim të vetëm zemrat e tifozëve. Për momentin, më shumë sesa dashuri mbiemri i Josef Ekuban ngjall nostalgjinë e tifozëve. Vëllai i tij, Khaleb, dikur makthi i mbrojtjes bardheblu, sigurisht që i ka folur më shumë për këtë përballje, duke i thënë se nëse vendos këtë sfidë, atëherë vështirë se mund të dalë nga zemra e tifozëve.

Brian Bown kartivizitën e tij e dha në Superkupë me tre golat ndaj Kukësit, në kampionat është aktivizuar në të pesta ndeshjet, por asnjë shenjë. Nëse shënon, do të bëhej i pari lojtar nga Karaibet që vë emrin në derbin e kryeqytetit.

Golat mund të vijnë edhe nga mesfushë, Rron Broja apo Romero të thërritur në apel, e po ashtu dhe William Cordeiro që derbin e ka përjetuar deri më tani si spektator me fanellën e Kukësit.

Te Tirana gjërat janë disi ndryshe, bardheblutë kanë votuar për eksperiencën në merkaton e verës dhe lojtarët e afruar e njohin mirë derbin, Torasa dhe Batha e kanë luajtur nga krahu i kundërt, për sa u përket sulmuesve kandidaturat për të shkruar emrin në historinë e tij ato të Ismael Dunga, nëse ja del të luajë, e po ashtu edhe Elton Cale.

Në një derbi në Superiore nuk është aktivizuar edhe Ernest Muçi, ku i dihet, fati mund t’i ketë rezervuar ndonjë minutë dhe lavdinë e madhe edhe të riut të sulmit bardheblu, që ndan të njëjtën histori me Celhagën për sa i përket pritjes së debutimit në një derbi, ndërsa në mbrojtje, ai që mund të provojë për herë të parë si protagonist emocionet e derbit është Kristi Vangjeli, ashtu si Boldor te Partizani. Tekat e çuditshme të futbollit mund të ngrenë edhe një mbrojtës në piedestalin e një derbi, që gjithmonë ofron risi. (SS)

scroll to top