Topollaj: Ja pse dhashë dorëheqjen nga strukturat e PD

Fabian Topollaj, ish-anëtari i Këshillit Bashkiak të Tiranës të Partisë Demokratike, ka rrëfyer se pse dha dorëheqjen nga detyra e tij.

I ftuar në televizionin ‘Fax News’, ai u shpreh se opozita më shumë po i shërben Erion Veliajt sesa qytetarëve të këtij vendi.

“Në fakt bindja ime që të qëndrosh brenda institucioneve në kushte ku të bërit opozitë është e pamundur, më shumë i shërben Erion Veliajt se qytetarëve. Unë e kam folur edhe kolegët dhe në fakt nuk jam kundërshtuar.

Ne mund ta përmbysim këtë sistem nga jashtë, duke iu bashkuar qytetarëve. Pas disa kohëve, që ky mendim nuk u përqafua nga kolegët e mi, unë vendosa të jap dorëheqje”, theksoi Topollaj.

Më tutje, Topollaj shtoi se Erion Veliaj ka përdorur metoda ekstra politike, që e bën të pamundur që një këshilltar të përfaqësojë qytetarët.

“Nuk mund të qëndrosh në ato institucione, ku opozita e ka të pamundur të përfaqësojë zgjedhësit e tij. Kjo sepse Erion Veliaj me metoda ekstra politike, e bën të pamundur që një këshilltar të përfaqësojë qytetarët. Duke qenë se nuk i kishte votat për të vendosur për tjetërsimin e truallit të Teatrit Kombëtar, ai nxori një ligj me anë të cilit nxori jashtë loje Këshillin. Edhe gjykata është blerë, dhe në 4 gjyqe ku unë kam marrë pjesë, i është dhënë e drejta një kryetari Bashkie”, tha ai.

Së fundmi, Topollaj ka nënvizuar se formacioni politik, ku ai bënte pjesë, më shumë e ka penguar se sa e ka ndihmuar./real-news.tv

Lër një koment