Trump bisedime me Putin dhe Xi Jinping për Venezuelën

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump thotë se do të bisedojë me homologun e tij rus Vladimir Putin dhe atë kinez Xi Jinping, lidhur me situatën në Venezuelë.

SHBA-ja ka qëndrim të kundërt me Rusinë dhe Kinën lidhur me krizën në Venezuelë.

“Ne me gjasë do të bisedojmë për situatën në Venezuelë”, u tha gazetarëve presidenti Trump.

“Unë do të flas me shumë njerëz, ndoshta me presidentin Putin, ndoshta me presidentin Xi të Kinës”, tha Trump.

Komentet e Trumpit vijnë pasi Uashingtoni dënoi dërgimin e forcave ushtarake të Rusisë në Venezuelë, ku zyrtarët e lartë amerikanë thanë se prania e trupave ruse do të destabilizojë këtë shtet, i cili tashmë përballet me një krizë politike dhe ekonomike.

“Ne paralajmërojmë aktorët e jashtëm të hemisferës Perëndimore, kundër vendosjes së aseteve ushtarake në Venezuelë apo diku tjetër në hemisferë, me qëllim të krijimit ose zgjerimit të operacioneve ushtarake”, u tha në një deklaratë të lëshuar nga Shtëpia e Bardhë më 29 mars.

I dërguari i posaçëm i SHBA-së për Venezuelë, Elliott Abrams tha se Uashingtoni vlerëson se janë rreth 100 pjesëtarë të personelit ushtarak të Rusisë në Venezuelë dhe se prania e tyre është “jashtëzakonisht e dëmshme”.

Shtetet e Bashkuara, Kanadaja dhe shumica e aleatëve të tyre evropianë, po kërkojnë që presidenti i kontestuar i Venezuelës, Nicolas Maduro të largohet – duke argumentuar se rizgjedhja e tij në zgjedhjet e vitit 2018 nuk ishte legjitime.

Maduro gëzon mbështetjen e Rusisë, Kinës, Iranit, Sirisë dhe Kubës. SHBA-ja dhe mbi 50 shtete të tjera, kanë njohur Juan Guaidon si president të përkohshëm të Venezuelës./real-news.tv/