Trump kërkon takim me personin që i zbuloi skandalin me homologun ukrainas

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha të dielën se ai e meriton një takim me akuzuesin e tij, duke shtuar kundërthëniet në rastin e bisedës telefonike me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky.

“Si çdo amerikan, unë e meritoj një takim me akuzuesin tim, veçanërisht këtë akuzues, i cili e paraqiti një bisedë të përkryer me një liderë të huaj në një mënyrë tërësisht të gabuar dhe mashtruese”, shkroi presidenti Trump në Twitter para se ta sulmonte shefin e Komisionit për Inteligjencë, Adam Schiff.

“Gënjeshtrat e tij u bënë ndoshta në mënyrën më qëllimkeqe që është parë ndonjëherë. Ai shkroi dhe lexoi gjëra të tmerrshme, pastaj tha se ato janë nga goja e presidentit të Shteteve të Bashkuara. Dua që ai të merret në pyetje në nivelin më të lartë për mashtrim dhe tradhti”, shkroi shefi i Shtëpisë së Bardhë.

Në anën tjetër, avokatët e personit anonim që e zbuloi transkriptimin e bisedës mes presidentëve thanë se janë të shqetësuar për sigurinë e tij pas sulmeve të vazhdueshme të presidentit Trump.

“Qëllimi i kësaj letre është që t’ju informojmë zyrtarisht për shqetësimet serioze që kemi në lidhje me sigurinë personale të klientit tonë”, thuhet në letrën e avokatëve.

Ndryshe, presidenti amerikan e përsëriti kërcënimin për pasoja të mëdha për secilin person që ka dhënë informacione lidhur me bisedën e tij me homologun ukrainas, shkruan “CNN”.