Trump kërkon të ndalet rinumërimi i votave në Florida

Presidenti i SHBA, Donald Trump, i bëri thirrje zyrtarëve të Floridës të braktisin përpjekjet e rinumërimit të votave dhe të deklarojnë kandidatin republikan si fitues të zgjedhjeve afatmesme.

Sekretari i Shtetit në Florida ka vendosur rinumërim elektronik të votave për shkak të diferencës së ngushtë mes kandidatëve.

Sipas ligjit zgjedhor të Floridës, nëse diferenca mes kandidatëve është më e vogël se 0.5 për qind e votave, atëherë mund të kryhet rinumërimi elektronik.

Në zgjedhjet për Senatin në Florida, kandidati republikan Rick Scott ka një epërsi prej 0.15 për qind të votave ndaj rivalit të tij demokrat Bill Nelson. Ndërsa, në garën për guvernator, kandidati republikan Ron DeSantis ka një epërsi prej 0.4 për qind ndaj rivalit të tij demokrat Andrew Gillum. Zyrtarët kanë afat deri të enjten për të përfunduar rinumërimin elektronik të votave.

Thirrja e Trump për t’i dhënë fund rinumërimit, një proces i mandatuar nga ligji i Floridës për shkak të diferencës së vogël të votave, erdhi edhe pse rregullat e shtetit lejojnë zyrtarët e zgjedhjeve të presin 10 ditë për votimet e munguara nga votuesit e regjistruar që jetojnë jashtë Shteteve të Bashkuara.

Kandidati republikan Rick Scott i akuzoi gjatë javës demokratët se po bëjnë përpjekje për t’i vjedhur zgjedhjet. Presidenti Trump gjithashtu komentoi mbi zgjedhjet në Florida para se të nisej për në Francë, duke akuzuar demokratët se po përpiqen të vjedhin zgjedhjet.

Lër një koment