Trump kërkon të ndryshohen ligjet për emigracionin

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, përgënjeshtroi njoftimet se i ka kërkuar Sekretarit në detyrë të Sigurisë Kombëtare mbylljen e kufirit SHBA – Meksikë dhe se i ka ofruar falje në rast se do të përballej me akuza ligjore për këtë veprim. Presidenti gjithashtu kërkoi sot që demokratët të veprojnë për të ndryshuar menjëherë legjislacionin amerikan për emigracionin dhe tha se në të kundërt qytetet-strehë do të duhet të kujdesen për emigrantët e paligjshëm që hyjnë në Shtetet e Bashkuara.

Presidenti amerikan Donald Trump përgënjeshtroi njoftimet se i ka kërkuar një zyrtari të kufirit që të mbyllte kufirin me Meksikën dhe se do ta falte me dekret nëse ai do të përballej me akuza ligjore për këtë veprim.

Presidenti Trump postoi një koment në Twitter ku shkruan se “nuk kam ofruar kurrë falje për zyrtarë të Departamentit të Sigurisë Kombëtare; nuk kam urdhëruar ndokënd të mbyllë kufirin tonë jugor (megjithëse kam të gjithë të drejtën të veproj kështu dhe ndoshta do ta bëj, nëse Meksika nuk ndalon emigrantët e paligjshëm që vijnë drejt kufirit tonë); gjithashtu, nuk jam i irrituar”.

Presidenti Trump këmbëngul se “demokratët duhet të ndryshojnë me shpejtësi ligjet për emigracionin. Nëse jo, atëherë qytetet-strehë duhet të marrin menjëherë masat për t’u kujdesur për emigrantët e paligjshëm – dhe aty përfshihen anëtarë bandash, kontrabandistë droge, trafikantë të qenieve njerëzore, si dhe kriminelë të të gjitha formave, përmasave dhe llojeve. Ndryshoni ligjet tani!”./real-news.tv/