Trump: Khashoggi mund të ketë vdekur. Pasoja të rënda për sauditët nëse kjo është e vërtetë

download.jpg

Presidenti Donald Trump mendon se gazetari saudit Jamal Khashoggi ka vdekur dhe se përgjigjja e SHBA-së ndaj Arabisë Saudite do të jetë “shumë e ashpër”, nëse kjo ka ndodhur, por ai ende pret që ngjarja të zbardhet dhe te zbulohet se çfarë ndodhi saktësisht.

Policia turke po vijon kërkimet për gazetarin saudit në një pyll në periferi të Stambollit dhe në një qytet pranë Detit të Marmarasë, më shumë se dy javë pas zhdukjes së tij pasi hyri në konsullatën saudite në Stamboll-raporton Reuters.

Trump, i cili ka krijuar lidhje më të ngushta me Arabinë Saudite, pranoi për herë të parë të enjten se Khashoggi, një rezident i Uashingtonit dhe gazetar i Uashington Postit, ka gjasa të jetë vrarë.

“Sigurisht që për mua ai duket se ka vdekur. Kjo është shumë e trishtë”, u tha Trump gazetarëve.

Zyrtarët turq kanë deklaruar se besojnë se Khashoggi u vra në konsullatë dhe se trupi i tij u copëtua dhe u zhduk. Riadi i mohon akuzat dhe tha se po heton zhdukjen e gazetarit, i cili ishte kritik ndaj sundimtarëve sauditë, duke bërë thirrje për reforma.

Në intervistën e New York Times, Trump shprehu gjithashtu besim në raportet e inteligjencës që sugjerojnë se Saudia mund të jetë e përfshirë në vrasjen e Khashoggit. Trump tha, megjithatë, se është ende “pak herët” për të nxjerrë përfundime përfundimtare se kush mund të jetë prapa kësaj historie.

Trump foli disa orë pas takimit me Sekretarin e Shtetit Mike Pompeo, i cili e informoi mbi rezultatet e bisedimeve emergjente të Pompeo në Arabinë Saudite dhe Turqi këtë javë.
Pompeo u tha gazetarëve se ai e këshilloi Trump se Arabisë Saudite duhet t’i jepet disa ditë më shumë kohë për të përfunduar hetimet për zhdukjen e Khashoggit, e cila ka shkaktuar një protestë ndërkombëtare dhe i ka tensionuar marrëdhëniet saudite me vendet perëndimore dhe korporatat.

Gazetari Khashoggi nuk është parë që prej datës 2 tetor kur hyri në konsullatën saudite në Stamboll.

REKLAMO NE REALNEWS +355 69 33 33 303