Trump kundër Obamës në fundjavën e fundit të fushatës zgjedhore

Pas lëvdimit për ekonominë, uljen e papunësisë dhe ngritjen e frikës ndaj emigracionit, Presidenti i SHBA Donald Trump po përballet me paraardhësin e tij Barak Obama, i cili po merr një rol gjithnjë e më të rëndësishëm në fundjavën e fundit të fushatës para zgjedhjeve afatmesme në të cilat kërcënohet kontrolli republikan i Kongresit.

Vetëm 72 orë kanë ngelur deri ditën e zgjedhjeve për në Kongres. Presidenti Trump dhe ish-presidenti Obama kanë folur nëpër tubime, të dy, duke theksuar rëndësinë e zgjedhjeve të ardhshme.

“Këto zgjedhje do të vendosin nëse do të vazhdojmë me zhvillimin e jashtëzakonshëm që kemi parë, apo nëse do t’i lejojmë demokratët radikalë të marrin kontrollin e Kongresit.

Këtë herë zgjedhjet janë shumë të rëndësishme. Pasojat e të qëndruarit pa votuar janë të mëdha”- tha presidenti amerikan.

Ndërsa, ish-presidenti Obama dikur ngurronte të fliste kundër pasardhësit të tij, por duke iu përgjigjur shifrave të punësimit në një tubim në shtetin e Xhorxhias tha:

“Më duhet ta shpjegoj se republikanët tani thonë, shikoni sa mirë është ekonomia. Nga mendoni se erdhi kjo?”

Presidenti Trump dhe ish-presidenti Obama kanë pikëpamje të ndryshme për sa i përket çështjes së emigracionit.

“Ata duan që këto karvanë të mbushur me njerëz që vijnë në mënyrë të jashtëligjshme  në vendin tonë, duke rrezikuar komunitetin tuaj” tha presidenti Trump.

Por ish-presidenti Obama shprehu një tjetër pikëpamje:

“Ata po ju tregojnë se kërcënimi ekzistencial për Amerikën është një bandë refugjatësh të varfër një mijë milje larg” u shpreh Obama.

Lër një koment