Trump: Lufta me SHBA do të ishte fundi i Iranit

Presidenti amerikan, Donald Trump, lëshoi një paralajmërim të fortë ndaj Iranit duke kërcënuar me shkatërrimin e tij nëse ai sulmon Shtetet e Bashkuara apo interesat e tyre.

“Nëse Irani dëshiron të luftojë, ky do të jetë fundi zyrtar i Iranit”, shkroi ai në rrjetin twitter. “Kurrë më mos i kërcënoni Shtetet e Bashkuara”.

Vetëm tre ditë më parë, presidenti Trump u duk më i tërhequr nga qëndrimi i tij i ashpër ndaj Iranit, duke thënë se ai do të ishte i gatshëm të fliste me Teheranin.

I pyetur nga gazetarët në Shtëpinë e Bardhë nëse Shtetet e Bashkuara do të luftojnë me Iranin, presidenti Trump tha “shpresoj që jo”.

Por, nuk ka pasur ndonjë rënie të dukshme të tensioneve midis Shteteve të Bashkuara, aleatëve rajonalë dhe Iranit.

Departamenti i shtetit tha se një raketë e “vogël” ra të dielën në Zonën e gjelbër në Bagdad, afër ambasadës amerikane. Nuk pati njoftime për dëme në njerëz apo dëme materiale.

Zëdhënësi i komandës qendrore amerikane, kapiteni Bill Urban, tha se Pentagoni kishte njohuri për një shpërthim jashtë ambasadës, duke shtuar se “nuk kishte dëme në personelin amerikan apo të koalicionit dhe forcat irakiane të sigurisë janë duke hetuar incidentin”.

Zëdhënësi tha se Shtetet e Bashkuara nuk do të tolerojnë sulme të tilla dhe do të mbajnë Iranin përgjegjës nëse “sulmet e tilla janë veprime të milicive të mbështetura prej tij”.

Arabia Saudite po fajëson rebelët Houthi të mbështetur nga Irani në Jemen për një sulm me dronë në dy stacione naftëmbajtëse të Arabisë Saudite javën e kaluar.

Shtetet e Bashkuara dyshojnë se Irani qëndron para sabotimit të katër anijeve naftëmbajtëse në brigjet e Emirateve të Bashkuara Arabe javën e kaluar. Dy nga anijet janë të Arabisë Saudite.

Sauditët thanë po ashtu se nuk do të tolerojnë agresionin iranian.

“Mbretëria e Arabisë Saudite nuk dëshiron luftë në rajon dhe nuk përpiqet për këtë”, tha të dielën ministri i Punëve të Jashtme, Adel al-Jubeir. “Por në të njëjtën kohë, nëse pala tjetër zgjedh luftën, Mbretëria do të luftojë këtë me gjithë forcën dhe vendosmërinë dhe do të mbrojë veten, qytetarët e saj dhe interesat e saj”.

Mbreti saudit, Salman, ka ftuar në një takim emergjent udhëheqësit e vendeve arabe dhe atyre të Gjirit, më 30 maj, për të diskutuar situatën në rajon.

Një agjenci iraniane e lajmeve citoi shefin e Rojave Revolucionare të Iranit, Hossein Salami, të ketë thënë se vendi nuk dëshiron luftë, por “nuk ka frikë” prej saj.

Pentagoni tashmë ka dërguar bombarduesit në rajon.

Tensionet me Iranin u shtuan që kur presidenti Trump tërhoqi Shtetet e Bashkuara nga marrëveshja bërthamore me Teheranin.

Sipas marrëveshjes, Irani duhej të frenonte programin e pasurimit të uraniumit në shkëmbim të heqjes së sanksioneve ekonomike. Kufizimet kishin për qëllim që Irani të mos zhvillonte armë bërthamore, gjë që Irani mohonte se është duke e bërë.

Presidenti Trump, në një intervistë për Fox News, që ishte regjistruar gjatë javës së kaluar dhe u transmetua të dielën, tha se “nuk dëshiron të luftojë”, por kur flitet për Iranin “nuk mund të lejojmë që të ketë armë bërthamore”.

Sanksionet e rivendosura amerikane e kanë lënë ekonominë iraniane në gjendje të rëndë dhe Irani ankohet se ende nuk ka parë përfitimet e premtuara ekonomike nga vendet që janë ende pjesë e marrëveshjes bërthamore si Britania, Kina, Franca, Gjermania dhe Rusia.

Presidenti iranian, Hassan Rouhani, tha dy javë më parë se po tërhiqej nga një pjesë e marrëveshjes bërthamore dhe do të rifillonte pasurimin e uraniumit, nëse nuk do të kishte përfitime ekonomike deri në fillim të korrikut. VOA