Trump nis sot vizitën tre ditore në Britani

Presidenti amerikan, Donald Trump do të nisë vizitën e tij tre ditore në Britani, ku do të takohet me familjen mbretërore, përfshirë Mbretëreshën, Elizabeta II, para se të marrë pjesë në një organizim shtetëror.

Kjo vizitë vjen në kohën kur Britania po përballet me krizë politike, për shkak të largimit nga Bashkimi Evropian, dhe pas vendimit të kryeministres, Theresa May për të dhënë dorëheqjen.

Megjithatë kjo vizitë është dominuar nga deklaratat e Trump për procesin e Brexit.

Edhe para arritjes së tij, Trump ka thënë se ish-Sekretari i Jashtëm britanik, Boris Johnson do të ishte zgjidhje e mrekullueshme për ta zëvendësuar kryeministren May.

Ai po ashtu i ka propozuar pasardhësit të May që të heqë dorë nga bisedimet me Brukselin dhe Brexit të finalizohet pa marrëveshje.

Gjatë vizitës së tij, Trump do të takohet edhe me kryeministren në ikje, Theresa May.

Të hënën, presidenti do të bëjë një turne në Westminster Abbey dhe gjithashtu do të takohet me Princin Charles dhe dukeshën e Cornwall për çaj në Clarence House.

Në banketin shtetëror, Presidenti Trump do të jetë me Mbretëreshën dhe Dukën dhe Dukeshën e Kembrixhit.

Dukesha e Sussex, Meghan Markle, nuk do të marrë pjesë pas lindjes së djalit të saj Archie, i cili është më pak se një muaj i vjetër.

Pas Britanisë, Trump do të realizojë vizitë edhe në Irlandë dhe Francë./real-news.tv/