Trump paralajmëron se masat e izolimit “mund ta shkatërrojnë shtetin”

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump ka mbrojtur vendimin e tij për masa më të lehta izolimi në Shtetet e Bashkuara rreth koronavirusit.

Presidenti është i mendimit se izolimi nuk është për amerikën.

“Shumë njerëz pajtohen me mua. Shteti ynë – nuk është krijuar për t’u mbyllur”, ka thënë ai për kanalin Fox.

“Mund të shkatërroni shtetin në këtë mënyrë, duke e mbyllur atë”.

Trump ka thënë se duke filluar nga java e ardhshme ai do të “analizojë” nëse do të heqë masat për distancim shoqëror dhe karantinë, në mënyrë që ekonomia të kthehet në rrugën e vet.

“Ne nuk mund të humbim Boeing, ne nuk mund të humbim kompani të tilla. Nëse humbim këto kompani, ne po flasim për qindra mijëra, miliona vende të punës”, ka thënë ai.

“Në fund të periudhës 15 ditore, ne do të vendosim se si do të vijojmë dhe ku synojmë të shkojmë. Po flasim për rihapjen e aktiviteteve të bizneseve në vendin tonë”, u shpreh Trump.

Ndërsa pajisjet mjekësore po mbarojnë në të gjithë Amerikën, presidenti premton se të tjera po vijnë.

“Po shpërndajmë 8 milionë maska mbrojtëse, 13,3 milionë maska kirurgjikale në të gjithë vendin”.