fbpx

Trump sulmon ashpër OBSH-në: “OBSH gaboi rëndë”

Shtetet e Bashkuara numërojnë gati 400 mijë raste të konfirmuara, më shumë së në çdo vend tjetër të botës.

Në konferencën për shtyp, kreu i Shtëpisë së Bardhë sulmoi Organizatën Botërore të Shëndetësisë, pasi siç tha, i kishte këshilluar gabim dhe kishte qenë më shumë e fokusuar te Kina. “OBSH gaboi rëndë. Fondet më të mëdha i merr nga SHBA, e megjithatë është e orientuar nga Kina”, ishin fjalët e Trump.

Ai kërcënoi se do të ndalte financimet e destinuara për organizatën.

Presidenti amerikan Donald Trump, tha të martën se Shtetet e Bashkuara mund të jenë duke arritur pikun e pandemisë dhe se numri i vdekjeve mund të mos jetë aq i lartë sa ishte projektuar.

Task-forca e presidentit ka parashikuar se deri në 240 mijë vetë mund të vdesin nga pandemia. Të dhënat sugjerojnë se komuniteti afro-amerikan do të jetë më i prekuri, ndërsa vdekshmëria raportohet të jetë e lartë mes personave me ngjyrë.

“Po përballemi me një problem shumë të madh, pasi të dhënat sugjerojnë se komuniteti afro-amerikan është ai që po goditet më rëndë. Është një sfidë shumë e madhe”, tha Trump.