Trupat ushtarake turke nisin ofensivën në veri të Sirisë

Trupat turke kanë filluar një ofensivë në veri të Sirisë, e cila mund të shkaktojë një konflikt të drejtpërdrejtë me forcat e udhëhequra nga kurdët, të cilët janë aleatë me Shtetet e Bashkuara.

Masa u njoftua nga Presidenti i Turqisë, Rexhep Tajip Erdogan.

Turqia dëshiron të krijojë një “zonë të sigurt” pa milicitë kurde, e cila gjithashtu do të strehojë disa prej 3.6 milion refugjatëve sirianë të Turqisë.

Presidenti  amerikan, Donald Trump, tërhoqi trupat amerikane përpara aksionit, por thotë se Turqia mund të përballet me pasoja ekonomike nëse e kalon cakun.

Kurdët ishin aleatët kryesorë të SHBA-së në mposhtjen e grupit xhihadist Shteti Islamik (IS) në Siri.

Tërheqja e forcave amerikane nga Trump në zonën kufitare u pa si një “goditje në shpinë” nga Forcat Demokratike Siriane (SDF) të udhëhequra nga kurdët.

Ai iu përgjigj kritikave duke kërcënuar se do të “shkatërronte” ekonominë e Turqisë nëse shkonte “jashtë kufijve”, duke thënë se Turqia nuk duhet “të bëjë asgjë jashtë asaj që ne do të mendonim se është humane”.

Duke shpallur ofensivën, presidenti turk Erdogan tha në Twitter: “Forcat e Armatosura Turke, së bashku me Ushtrinë Kombëtare Siriane [grupet rebele të mbështetura nga Turqia], sapo filluan operacionin kundër milicive kurde dhe grupit të Shtetit Islamik në veri të Sirisë.

“Misioni ynë është të parandalojmë krijimin e një korridori të terrorit përtej kufirit tonë jugor, dhe të sjellim paqen në zonë.

“Ne do të ruajmë integritetin territorial të Sirisë dhe do të çlirojmë bashkësitë lokale nga terroristët”- shtoi Erdogan./real-news.tv/