Tsipras fitoi besimin e parlamentit pas largimit të Kamenos

Deputetët e shumicës parlamentare në Greqi kanë pritur me duartrokitje përfundimin e numërimit të votave, me të cilat qeveria e kryeministrit Tsipras ka marrë votëbesimin, pas largimit nga kabineti të Panos Kammenos, kreut të partisë aleate në qeveri “Grekët e pavarur”.

“Në total votuan 299 deputetë, te qeveria dhanë votë besimi 151 ligjvënës”, u shpreh Jorgos Varemenos, nënkryetar i Parlamentit, në përfundim të numërimit.

Përveç 145 deputetëve të partisë në pushtet, “Syriza”, kanë votuar pro edhe 6 deputetë të pavarur.

Edhe seanca e ditës së dytë në Parlament është shoqëruar me një debat të ashpër politik, sidomos midis kreut të opozitës, Kyriakos Mitsotakis, dhe kryeministrit Alexis Tsipras, që ka akuzuar rivalin e tij se po i drejton konservatorët drejt së djathtës ekstreme dhe më pas ka ftuar të gjithë deputetët të votojnë qeverinë që shpëtoi vendin nga kriza.

“Ju ftoj sot me dorë në zemër të jepni votëbesimin te qeveria, që dha beteja, u përgjak, por arriti ta nxjerrë vendin nga memorandumet e ndihmës dhe nga mbikëqyrja. Tek ajo qeveri që vazhdon të luftojë për rimëkëmbjen e ekonomisë dhe ta sjellë vendin te normaliteti”, tha Alexis Tsipras.

Ndërsa kreu i “Demokracisë së Re” e ka akuzuar kryeministrin që po mban në këmbë qeverinë, duke marrë huà deputetë dhe ministra nga parti të tjera.

Në fund të fjalimit, Alexis Tsipras ka njoftuar Parlamentin se ka mbërritur në Athinë dokumenti zyrtar i qeverisë së Zoran Zaevit, me ndryshimet kushtetuese të bëra nga Parlamenti në Shkup me bazë marrëveshjen e Prespës.

Dokumenti në fjalë – ka thënë Tsipras, – sqaron çështjen e nënshtetësisë dhe të gjuhës maqedonase, që i përket grupit të gjuhëve sllave, e ka kritikuar “Demokracinë e Re” që i mashtron grekët, duke i konsideruar këto dy pika problematike.

“Tashmë, edhe në bazë të këtij dokumenti zyrtar, që hedh poshtë pretendimet e Mitsotakis, nuk ka asnjë argument që të mos votohet marrëveshja e Prespës”, ka përfunduar kryeministri grek./real-news.tv/