Tsipras informohet për negociatat me Shqipërinë, merr kompetencat e Kotzias

Pas dorëheqjes së Nikos Kotzias, Kryeministri grek Alexis Tsipras ka marrë edhe detyrën e ministrit të Jashtëm. Në Ministrinë e Jashtme të Greqisë u mbajt sot një mbledhje nën drejtimin e Tsipras së bashku me zv/ministrat e Jashtëm dhe këshilltarë e drejtorë të departamenteve të këtij institucioni, ku u ndanë detyrat e reja.

Kështu, politikat e OKB-së dhe të NATO-s do të jenë kompetenca paralele të Kryeministrit Tsipras dhe zv/ministrit të Jashtëm. Po kështu, Tsipras do të ketë nën përgjegjësi edhe çështjet që kanë të bëjnë me Ballkanin, Turqinë dhe Qipron.

Në takim u diskutua gjithashtu edhe për zgjerimin e detit nga Greqia. Kështu, Kryeministri Tsipras është informuar në detaje për rrjedhën e negociatave që po zhvillohen me Shqipërinë dhe ku kanë mbetur bisedimet.

Sipas shtypit grek, Tsipras ka urdhëruar që sa i përket çështjes së zgjerimit territorial të detit, të mos vazhdohet me dekret presidencial, por të kalojë në Parlament. Kryeministri informoi të pranishmit në takim se do të informojë sistematikisht partitë politike për dialogun e negociatave për detin.

Ndër të tjera, Kryeministri Tsipras kërkoi gjithashtu që të informohet për zhvillimet e fundit me Turqinë në mënyrë që t’u përgjigjet deklaratave të bëra nga qeveria turke. Në këtë pikë, bisedimet zunë një hapësirë të rëndësishme, për shkak edhe të marrëdhënieve greko-turke.

Tsipras u informua për bisedimet me Ankaranë zyrtare, si dhe për të përgatitur vizitën e tij në Turqi, që në fakt është një ftesë e Presidentit Erdogan.

Së fundmi, Kryeministri grek kërkoi nisjen e një dialogu strategjik me SHBA-në, si dhe të shqyrtohen mundësitë e një udhëtimi të ardhshëm në Rusi.

Pas largimit të Kotzias nga ky post javën e kaluar, kabineti i Kryeministrit njoftoi se Alexis Tsipras do të marrë detyrën e ministrit të Jashtëm dhe nuk do të emërojë asnjë tjetër në këtë pozicion

Lër një koment