Tsipras pranon dorëheqjen e Kotziasit, merr vetë detyrën e ministrit

Kryeministri grek Alexis Tsipras ka pranuar “me dhimbje në zemër” dorëheqjen e ministrit të Jashtëm, Nikos Kotzias, duke shtuar se do ta marrë vetë përsipër detyrën e tij.

“Vendosa që të marr Ministrinë e Jashtme në këtë moment, por edhe përgjegjësinë, duke dhënë njëkohësisht një mesazh se kjo zgjedhje është një opsion që sinjalizon vendosmërinë time për të bërë çdo gjë që kam në duar për të siguruar përfundimin me sukses të marrëveshjes historike të Prespës”, tha Tsipras përpara mediave.

Kotzias ka dhënë dorëheqjen pas debateve me ministrin Kammenos, i cili kishte paraqitur në SHBA një plan të dytë në rast të dështimit të Marrëveshjes së Prespës. Kur kjo çështje është shtruar në mbledhjen e kabinetit, kryeministri Tsipras, për të mos krijuar përçarje me partnerin qeveritar, ka ndarë përgjegjësinë e konfliktit midis dy ministrave, e ky ka qenë shkaku që kreu i diplomacisë greke ka dhënë dorëheqjen.

Burime pranë Tsiprasit thonë se asgjë nuk do të ndryshojë në politikën e jashtme greke, e sidomos arritjet e bëra në lidhje me fqinjët: marrëveshja e Prespës dhe paketa e çështjeve me Shqipërinë. Përkundrazi, thuhet se do të ketë një shtytje edhe më të madhe, që këto çështje të gjejnë zgjidhje përfundimtare para zgjedhjeve të ardhshme parlamentare në Greqi.

Lër një koment