Turqia i bën thirrje SHBA të mos lërë vakum të pushtetit gjatë tërheqjes nga Siria

Ministri i mbrojtjes i Turqisë i tha zyrtarëve të Pentagonit se nuk duhet të ketë një vakum të pushtetit gjatë tërheqjes së forcave amerikane nga Siria, njoftoi të shtunën agjencia shtetërore Anadolu.

Një zyrtar i lartë i administratës amerikane tha të premten se Uashingtoni do të lërë rreth 400 trupa amerikane të ndara midis dy rajoneve siriane, një kthesë kjo nga Presidenti Donald Trump që mund të hapë rrugën për aleatët e SHBA për të mbajtur trupa në Siri.

‘Ne i kujtuam partnerëve tanë se në asnjë mënyrë nuk duhet të ketë vakum të pushtetit gjatë tërheqjes, “i tha Anadolu, ministri turk i Mbrojtjes Hulusi Akar, duke përshkruar bisedimet e tij në Shtetet e Bashkuara me Sekretarin e Mbrojtjes të SHBA-së Patrick Shanahan.

Trump kishte urdhëruar tërheqjen e të gjitha 2,000 trupave të SHBA-së nga Siria në dhjetor pasi deklaroi se militantët e Shtetit Islamik janë mposhtur. Vendimi i befasishëm u kundërshtua nga aleatët dhe ligjvënësit e SHBA.

Ministri turk i Mbrojtjes gjithashtu përsëriti thirrjen për luftëtarët e milicisë kurde të YPG, të cilat Ankara i konsideron si terroristë, për t’u larguar nga “zona e sigurt”, të cilën Turqia dëshiron të kontrollojë./real-news.tv/