Turqia i përgjigjet kërcënimit të Trump

Turqia i është përgjigjur ditën sotme kërcënimit të presidentit amerikan, Donald Trump, në lidhje me ndërhyrjen në veri-lindje të Sirisë.

Turqia nuk është një vend që vepron nën kërcënim, deklaroi zëvendëspresidenti turk, Fuat Oktay duke iu referuar fjalëve të Donald Trump për tronditjet e mundshme për ekonominë turke në rast se qeveria e Erdogan tejkalon “caqet” në operacionin ushtarak kundër milicisë kurde në Sirinë Verilindore.

“Kur bëhet fjalë për sigurinë tonë, Turqia do të ndjekë rrugën e saj me çdo çmim”, shtoi Oktay duke folur në një ceremoninë e hapjes së të vitit akademik në Ankara.

Ky reagim i Ankarasë vjen pas deklaratës së presidentit amerikan Donald Trump, i cili tha se Turqia do të përballej me pasoja ekonomike shkatërruese nëse Ankaraja ndërmerrte ndonjë veprim në Siri që konsiderohej nga administrate amerikane “jashtë caqeve”.

“Siç kam thënë fuqishëm edhe më parë dhe thjesht për të përsëritur, nëse Turqia bën ndonjë gjë që unë, me urtësinë time të madhe dhe të pakrahasueshme, e konsideroj si jashtë caqeve, unë do ta shkatërroj dhe do ta fshij plotësisht ekonominë e Turqisë”, shkroi Trump në Twitter një ditë më parë.