Turqia inauguron sot aeroportin më të madh në botë

Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan do të inaugurojë ditën e sotme aeroportin e ri të Stambollit, për të cilin qeveria turke pretendon se do të jetë aeroporti më i madh në botë.

Presidenti turk Erdogan pritet të njoftojë emrin zyrtar të qendrës ajrore gjatë ceremonisë së inaugurimit e cila do të mbahet ditën e sotme, 29 tetor.

Aeroporti i ri i Stambollit, në brigjet e Detit të Zi, fillimisht do t’i shërbejë 90 milionë pasagjerëve në vit në fazën e tij të parë. Ndërsa, kur të jetë plotësisht funksional, pritet t’i shërbejë deri në 200 milionë udhëtarëve në vit.

Brendësia e aeroportit përfshin dizajne turke dhe islamike, ndërsa kulla e kontrollit të trafikut ajror në formë tulipani u nderua me çmimin Ndërkombëtar të Arkitekturës në vitin 2016. Aeroporti ofron shërbime të udhëtarëve nëpërmjet aplikacioneve telefonike, është efikas në energji dhe ka një sistem sigurie të teknologjisë së lartë. Të gjitha operacionet e aviacionit do të zhvendosen në aeroportin e ri në muajin dhjetor, kur Aeroporti Ataturk i Stambollit, i cili ka marrë emrin nga themeluesi i Turqisë, Mustafa Kemal Ataturk, do të mbyllet.

Turkish Airlines do të operojë fluturimet e saj nga aeroporti i ri në tre destinacione të brendshme: Ankara, Antalia dhe Izmir.

Lër një koment