Turqia nis sulmet ajrore në Siri, shënohen viktimat e para

Aeroplanët turq kanë bombarduar pozicionet kurde teksa ka nisur ofensiva në verilindje të Sirisë.

Përveç sulmeve ajrore, është raportuar edhe për një varg shpërthimesh në qytetin sirian, Ras al Ain, në kufi me Sirinë.

Mijëra njerëz u larguan nga qyteti sirian i Ras al Ain në drejtim të provincës Hasaka, të mbajtur nga Forcat Demokratike Siriane të udhëhequra nga kurdët. Sulmet ajrore turke kishin vrarë dy civilë dhe plagosur dy të tjerë, thanë Forcat Demokratike Siriane.

Presidenti turk Tajip Erdogan, duke njoftuar fillimin e aksionit, tha se qëllimi ishte të eliminonte atë që ai e quajti një “korridor terrori” në kufirin jugor të Turqisë.

Presidenti i SHBA, Donald Trump, i cili urdhëroi tërheqjen e SHBA javën e kaluar në një ndryshim të papritur të politikës, tha se ofensiva ishte “një ide e keqe” dhe ai nuk e miratoi atë. Ai priste që Turqia të mbrojë civilët dhe pakicat fetare dhe të parandalojë një krizë humanitare, tha ai.

Vendet evropiane i bënë thirrje Ankarasë të ndalte operacionin dhe Egjipti e quajti atë “një sulm të ashpër dhe të papranueshëm ndaj një shteti arab vëllazëror”.

Turqia ishte përgatitur të hynte në verilindje të Sirisë që kur trupat amerikane, të cilat luftuan me forcat e udhëhequra nga kurdët kundër Shtetit Islamik, filluan të largoheshin, një veprim të cilin kritikët e Trump e konsiderojnë si tradhti ndaj aleatëve të Uashingtonit./real-news.tv/