Turqia nuk i trembet ultimatumeve amerikane

Turqia nuk do të zmbrapset nga vendimi për të blerë sistemet ruse të mbrojtjes raketore S-400, pavarësisht kërcënimeve nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për përjashtimin e Ankarasë nga programi i blerjes së aeroplanëve luftarakë amerikanë F-35, ka thënë ministri i Jashtëm turk, Mevlut Çavushoglu.

Në atë që u shndërrua në burimin kryesor të tensioneve midis Ankarasë dhe Washingtonit, dy aleatët e NATO-s janë përplasur publikisht për muaj të tërë rreth blerjes së pajisjeve luftarake ruse.

Ushtruesi i detyrës së Sekretarit amerikan të Mbrojtjes, Patrick Shanahan, i dërgoi javën e shkuar homologut të tij turk një letër paralajmërimi, në të cilën thuhet se Ankaraja do të përjashtohet nga programi i aeroplanëve luftarakë F-35 po nuk heqë dorë nga planet për instalimin e sistemit rus.

Duke e sfiduar haptas qëndrimin amerikan, Çavushoglu tha se askush nuk mund t’i vejë ultimatume Turqisë. “Turqia nuk do të zmbrapset prej vendimit të vet me letra të kësaj natyre”, ka thënë ai. “Turqia i bleu sistemet S-400, ato do të na dërgohen dhe do të stacionohen në Turqi”.

Washingtoni  ka deklaruar se sistemet S-400 nuk janë në përputhje me sistemet e NATO-s.

Në kuadër të përplasjes, Ankaraja ka propozuar që forcat aleate të krijojnë një grup punues për ta vlerësuar ndikimin e sistemeve ruse. Ndërkaq, presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, ka përsëritur se Turqia tashmë e ka përfunduar marrëveshjen me Rusinë dhe se sistemet do të mbërrijnë në Turqi gjatë korrikut./real-news.tv/