Tymi i zjarreve në Australi po shton frikën nga problemet shëndetësore

Alarmet e zjarrit janë aktivizuar në ndërtesa të larta në qendër të qyteteve Sydney dhe Melbourne pas depërtimit të tymit të zjarreve deri te sensorët elektronikë. Ndërtesat moderne në qeveritare në Canberra janë mbyllur, sepse ajri brenda tyre është vlerësuar shumë i rrezikshëm për shëndetin e punëtorëve.

Dielli duket i kuq për javë të tëra në qiellin e qyteteve më moderne të Australisë, të cilat në kushte normale cilësohen si ndër vendet më të mira në botë për të jetuar.

Tymi po shkakton dilemë të pashembullt te banorët, të cilët janë mësuar me qiell të kaltër dhe ditë me diell. Ata tashmë po frikësohen për shëndetin e tyre dhe pasojat afatgjata të këtij tymi.

“Do ta lind fëmijën këtyre ditëve dhe më duhet ta mbroj atë nga e tërë kjo”, tha Emma Mauch, një grua shtatzënë nga Canberra.

Shoqja e saj, Sonia Connor, tha se e ka të vështirë ta mbajë të mbyllur në shtëpi vajzën e saj 3 vjeçe dhe është detyruar t’i mbyll dyert e dritaret me ngjitës, në kohën kur temperatura jashtë shënonte 42 gradë.

Ajo tha: “Vajza ime nuk ka shfaqur ndonjë simptomë, por unë e kam ndier tymin në mushkëri, edhe në fyt e kam një ndjenjë të çuditshme.”