fbpx

“U fejova se më kërcënonte me video intime”, 26-vjeçarja denoncon ish-partnerin 40 vjeçar

Një rrëfim i pazakontë, një lidhje dhe një histori që në themel ka një shantazh.

Një vajzë 26-vjeçe deklaron se jeta e saj është marrë peng në distancë nga ish-i fejuari që i kërkon rikthimin tek ai, përmes një videoje intime.

Pasi vajza i ka dhënë duart për herë të dytë, ai i shkruan kujtdo që ajo njeh, duke e paraqitur atë si një femër të lehtë, duke i sjellë të resë një situatë ankthi dhe stresi.

Sipas një burimi pranë zyrës kundër krimeve kompjuterike, shtetasja E. H . ka rënë viktimë dhe ka marrë një leksion për besimin që i dha ish-të fejuarit.

Ajo u paraqit pranë policisë qendrore të Tiranës dhe kishte vetëm një ankesë.
Kërkonte të sekuestrohej një video intime që kishte bërë në mirëbesim me ish-të fejuarin, gjatë kohës që ata ishin në lidhje të fshehtë pa e bërë ende publike.

“Ish i fejuari im vazhdon të jetë nën shërbim prove, pasi me këtë video më ka kërcënuar edhe më parë. Për shkak të videos intime unë pranova të fejohesha me të, por kur u binda se çfarë ishte e lashë. Ai nisi shantazhet me videon, hapi Facebook në emrin tim, hapi Instagram. Gjykata e dënoi për përndjekje”, tregon ajo para policisë.

Por këmbënguljen e ish-të fejuarit për tu rikthyer me të 26-vjeçarja e ka përcjellë me indiferencë. E këshilluar edhe me prindërit vajza ka vendosur t’i bëjë bllok në të gjitha llogaritë e saj.

Ndaj sipas burimit të gazetës “Si”, shtetasi E. Z. , 40 vjeç ka gjetur një tjetër rrugë për t’ia prishur qetësinë.

Ai hapi një llogari në Facebook me emrin e saj që ishte i rremë ku dhe publikoi fotografi të ish-fejuarës. Pasi vajza ka vazhduar të heshtë, ai duke u shtirur si ajo e duke bërë miq kushërinj e miq të saj, shkroi edhe statuse denigruese.

I njëjti burim pohon se është bërë edhe këqyrja e telefonit të denoncueses, ku janë administruar disa mesazhe me përmbajtje shantazhuese ndaj vajzës dhe familjes së saj.

Vajza pohon para agjentëve se pasi ish i fejuari u kishte shkruar edhe kushërinjve të saj, njëri prej tyre ka kërkuar adresën e 40-vjeçarit për t’u sqaruar “shqiptarçe”.

“Nuk pranova se nuk dua të bëj konflikte dhe nuk dua të hap problem për të afërmit. Kjo është punë për policinë që duhet të gjejë videon intime dhe të mbyllë llogaritë në FB”, sqaroi 26-vjeçarja.

Nga veprimet e para, rezulton që 40 vjeçari, është larguar nga Shqipëria dhe jeton jashtë vendit, ndonëse kishte detyrimin për t’u paraqitur nën shërbim prove sipas vendimit penal të mëparshëm. Ai u shpall në kërkim policor bëhet me dije për një sërë veprash, ndërkohë që veç policisë sipas fjalëve të inxhinieres, atë e kërkon edhe familja e saj e cila si veprim të parë ka komunikuar me prindërit e tij./ gazeta Si