21.5 C
Tirana
E enjte, 30 Maj, 2024

TË FUNDIT

U gjet i vdekur në burg, flet avokati i Andon Mëhillajt, zbulon të pathënat ndaj tij

spot_img

Pak pas lajmit të ndarjes nga jeta të të dënuarit me burgim të përjetshëm, Andon Mëhillajt brenda në burg, ka ardhur dhe reagimi i avokatit të tij Edmond Dema. Ky i fundit, tregon me keqardhje se Andon Mëhillaj kishte tentuar dy herë vetëvrasjen në burg, njëherë me dozë të tepërt të ilaçeve që merrte për depresion dhe një herë tjetër duke prerë damarët. Ai nuk di të thotë se çfarë ka ndodhur në burg, dhe nëse ai është vrarë por tregon gjendjen e rënduar të klientit tashmë të ndjerë sa i përket akuzave të tjera bashkëngjitur një vrasjeje në Orikum.

Për avokatin Mëhillaj ishte një njeri normal, që çedoi për shkak të një problemi me pronat por jo kriminel dhe se nuk kishte prekur armë me dorë.

Andon Mëhillaj është gjetur i vdekur mëngjesin e sotëm në burgun e Peqinit ku vuante dënimin me burg përjetë. Në shtëpinë e tij në Vlorë janë hapur dyert e mortit.

Si e morët vesh lajmin për vdekjen e Mëhillajt?

Është detyrimi im i fundit për Andon Mëhillaj edhe të sqaroj disa situata rreth emrit të tij. Unë rashë në dijeni nëpërmjet shtypit, me njoftimet në BalkanËeb dhe pastaj komunikova me njerëzit e tij të familjes pasi me ta i mbaja përherë lidhjet sepse gjykimi nuk ishte përfunduar ende. Ishte mbaruar në fakt në Shkallën e Parë dhe në Gjykatën e Apelit të Krimeve të Rënda por kuptohet për gjithë pretendimet që ne kishim, kishim bërë një rekurs dhe po prisnim krijimin e Gjykatës së Lartë dhe gjykimin e çështjes në ngarkim të tij pasi sipas pretendimeve tona, gjykimi ndaj tij nuk ka qenë i drejtë, nuk ka qenë i bazuar në prova. Për këtë shkak kemi kërkuar të rishikohej dënimi dhe fajësia e dhënë në ngarkim të tij. Kryesorja që kishim dhe që ai na e la në mes këtë betejë që ne po e ndiqnim, pavarësisht se çfarë vendimi kanë marrë dy gjykatat, ne kemi pretenduar gjithmonë pafajësi sidomos për të gjitha ngjarjet e tjera, të cilat vetë Julian Sinanaj, i cili ishte iniciatori i ngarkesës së tij gjatë fazës së hetimeve i mohoi në gjyq. Gjyqi është bërë me dyer të mbyllura, realisht nuk ranë në dijeni edhe njerëzit e tjerë dhe të gjithë të interesuarit për këtë çështje, por realisht Julian Sinanaj i mohoi të gjitha ngjarjet e tjera, përveç vrasjes që ka ndodhur në Orikum, që nëse ju kujtohet kam dhënë një intervistë para 5 vitesh për këtë ngjarje dhe atëherë e kam thënë si sot që përveç një implikimi në atë ngjarje Andon Mëhillaj, i cili sot nuk jeton më, nuk ka pasur asnjë lidhje me to. Përkundrazi, ai vetë pas ngjarjes së Orikumit ka qenë i kërcënuar nga Julian Sinanaj dhe e ka pohuar në hetim e gjykim dhe janë vërtetuar hollësisht.

Cilat janë dyshimet e familjarëve?

Që në momentin që unë e kam dorëzuar në organin e prokurorisë së rrethit gjyqësor Vlorë sepse atje e dorëzova në zyrën e prokurorit të atëhershëm, ka pasur një tufë ilaçesh të cilat i kishte kundër depresionit që i përdorte. Kam njoftuar menjëherë në burg, sepse e shoqërova dhe në burg, drejtorin e IEVP-së së burgut 302 i cili e mori në ngarkim të ndjerin në atë kohë. Trajtohej me anti depresantë dhe ka pasur 2 tentativa vetëvrasjeje nga ana e tij, njëra me dozë të shtuar të ilaçeve, të cilat po e degradonin realisht edhe nga ana nervore por edhe ka prerë damarët gjatë kohës që ishte në fazën e hetimit po në këtë burg dhe u çua urgjent në spitalin e burgut në Tiranë, që u morën masat ndaj tij.

Dua t’ju sqaroj një gjë, se sa herë e takoja e kishte me shumë problem sepse ne nuk e kishim mbyllur procesin, ka qenë momenti kur ai më thoshte dua të marr pafajësi për ato që kam pafajësi, sepse është dhe ana ime morale por edhe do t’i lë fëmijët me një cen që nuk e kanë sepse realisht ai nuk ka pasur pjesëmarrje në asnjë nga ngjarjet e tjera, qoftë vënia e tritolit në banesën e një ish-deputeti, qoftë në një vrasje të ndodhur këtu tek ish-Albano dhe Romina, nuk ka pasur asnjë lidhje, e kundërshtonte me forcë këtë. Pikërisht mendoj se edhe këto mund ta kenë çuar në një depresion të thellë e ndoshta dhe në pushimin e zemrës. Të dhënat paraprake që kam dëgjuar janë se ka vdekur nga një infarkt i miokardit, këtë shpresoj që do ta nxjerrë autopsia që do bëhet për të për të lënë të qetë, në këtë aspekt familjarët e tij.

Di që ka pasur në xhepin e xhaketës së tij, fotografinë e dy fëmijëve të cilët i ka pasur shumë problem dhe për t’i takuar dhe për jetën e tyre, si çdo prind. Në shtyp lakohet shumë keq, edhe pse nuk e dinë se çfarë ka ndodhur. Ai ka qenë një njeri normal, pavarësisht se ka pasur çedime në sjelljen e tij për shkak të problemeve pronësore që kishte në atë kohë por nuk ka qenë njeri kriminel dhe që të vriste, as ka prekur armë me dorë është vërtetuar kjo nga hetimi dhe gjykimi, as ka goditur ndonjë vetë dhe as ka dhënë ndonjë urdhër për të vrarë siç thuhet dhe lidhje me biznesmenë për të marrë para. Nga hetimet që unë kisha bërë vetë, familja e tij jeton në një vend në Itali, janë nën minimumin jetik, janë dy të sëmurë pleq, ka vetëm një vëlla dhe ata i dërgonin herë pas herë nga 100 euro-200 euro. A mund të ishte një kapo bande siç thonë që të pranonte nga dy prindër pleq t’i dërgonin nga 100 euro për të blerë ushqime për fëmijët? Këto janë në dosjen gjyqësore. Ishte një njeri si gjithë të tjerët, punonte për fëmijët, pavarësisht se disa probleme për pronat e çuan në këtë rrugë.

Ai realisht dhe kur merrte në telefon nga burgu, thoshte si thua do arrijmë ndonjë gjë në Gjykatën e Lartë. Ndoshta ngarkesa emocionale, koha e gjatë e ka kaluar në depresion, dhe ndoshta mund t’i ketë dhënë vetë fund jetës ose është lodhur.

spot_img

Latest Posts

spot_img

Më të lexuarat