U gjet i vdekur në rrugë, Krimet e Rënda marrin në dorë hetimin për Kreshnik Dashin

Detaje të reja dalin në dritë nga Kreshnik Dashi, 34-vjeçari që u gjet i vdekur ditën e djeshme në Vlorë ndërsa Policia tha paraprakisht se ishte vdekje natyrale por që më pas u zbulua se ishte qëlluar me armë.

Mësohet se doja është marrë në dorë nga Krimet e Rënda ndërsa dyshohet se shkak i vrasjes ka qënë një sherr i mëparshëm ku viktima ishte përfshirë në një konflikt brenda rrethit familjar.

Trupi i Dashi u gjend i pajetë rreth orës 06.05 të mëngjesit të djeshëm. Trupi është gjetur nga banorë të zonës të cilët kanë lajmëruar policinë. 34 vjeçari kishte shenja në kokë dhe plagë me armë zjarri në shpatull.

Kreshnik Dashi kishte lënë punën rreth orës 24:00 të natës për t’u kthyer ne shtëpi. Trupi i pajetë është gjetur pak metra larg banesës së tij. Në afërsi të rrugës ku është gjetur trupi i pajetë mungonte gjatë natës energjia elektrike.

34 vjeçari kishte lindur në fshatin Lubonjë të Vlorës, ndërsa ishte vendosur në zonë rreth 10-12 vjet më parë. Punonte në një fabrikë këpucësh në qytetin e Vlorës dhe ishte babai i një fëmije 7 vjeç.

Policia në një njoftim zyrtar deklaroi se: “pas hetimeve të mëtejshme, nga ekspertiza e plotë mjeko-ligjore, në trupin e 34 vjeçarit Kreshnik Dashi, konkretisht në pjesën e pasme të shpatullës është konstatuar një plagë e cila dyshohet të jetë shkaktuar nga armë zjarri.”