U gjetën të vdekur në kamion, identifikohen viktimat

Policia ka bërë publik emrat e të 39 shtetasve vietnamezë, të cilët u gjetën të vrarë në një kamion frigorifer, muajin e kaluar në Essex të Anglisë.

Dhjetë adoleshentë, përfshirë dy djem 15 vjeçarë, janë në mesin e viktimave. Trupat e tyre u gjetën më 23 tetor, rreth 32 kilometra larg Londrës.

Mjekja ligjore e Essex, Caroline Beasley-Murray tha: “Mund ta shfrytëzoj këtë mundësi të shpreh ngushëllimet e mia më të thella për familjet e viktimave”.

Ndihmësi i Shefit të Policisë Tim Smith tha: “Ky ishte një proces tepër i rëndësishëm dhe ekipi ynë është duke punuar shumë për t’iu përgjigjur familjeve të shqetësuara që kanë frikë se të afërmit e tyre mund të jetë në mesin e atyre që udhëtimi tragjik i të cilit përfundoi në brigjet tona.

“Prioriteti ynë ka qenë t’i identifikojmë viktimat, të ruajmë dinjitetin e atyre që kanë vdekur dhe të mbështesim miqtë dhe familjet e viktimave”- tha Smith.

Procesi i identifikimit të viktimave ka zgjatur pak më shumë se dy javë.

Komisioni për identifikim, i mbikëqyrur nga policia, ka përdorur gjurmët e gishtërinjve, ADN-në, të dhënat dentare dhe shenjat dalluese të trupit, si tatuazhe dhe plagë, për të konfirmuar emrat e viktimave.

Shumica e atyre që kanë vdekur kanë qenë në të 20-at dhe 30-at. Tetë kanë qenë gra. Të gjitha viktimat vinin nga Vietnami qendror ose verior.

Policia tha se autoritetet tani po diskutojnë mënyrat për riatdhesimin e trupave. Frigoriferi kamion me viktimat besohet se ka hyrë në Britani nga Belgjika.

Shoferi i kamionit, Maurice Robinson, nga Irlanda Veriore, është paraqitur në gjykatë si i akuzuar për vrasje./real-news.tv/