U inaugurua nga Rama me polifoni, por rruga e Lumit të Vlorës nisi si “ndërtim i paligjshëm”

Rama-rruga.jpg

Kryeministri Rama gjatë inaugurimit të rrugës në 2017-n

Në shkurt të vitit 2017, Edi Rama inauguroi fillimet e punimeve në rrugën e Lumit të Vlorës.

Një grup polifonie këndoi gjatë ceremonisë një këngë enkas. “Udha e mbarë moj rruga e lumit”, thuhej në vargje, e një strofë më tutje shtohej duke pasur në mendje Ramën: “E mbajte fjalën e burrit”.

Kryeministri që mori fjalën pas këngës tha se nuk e kishte “qejf prerjen e shiritave” dhe pasi përsëriti batutat kundër paraardhësit Sali Berisha për “rrugë të mbetura rrugës”, shtoi se po merrte pjesë në ceremoni edhe “për t’u treguar vlonjatëve se padurimi juaj gjenetik duhet të trajtohet me shumë respekt”.

Por sipas një kërkese për gjykim të Prokurorisë së Vlorës, “i paduruar” ka qenë vendimi për të filluar punë në shkurt, disa muaj para fillimit të fushatës për zgjedhjet e përgjithshme dhe 8 muaj para se Këshilli Kombëtar i Territorit (KKT), që drejtohet po nga Rama, të lëshonte lejen për ndërtimin e rrugës.

Në kërkesën për gjykim, prokuroria akuzon administratorët e kompanive Eurokos Shpk (dega Shqipëri), Ismet Rexhaj, Denis-05 Shpk, Hajredin Ukperaj dhe Arifaj Shpk, Rezarta Bokçiu për ndërtim të paligjshëm, pasi pavarësisht ceremonisë së fillimit të punës ku mori pjesë vetë kryeministri, kompanitë nuk kishin lejen e ndërtimit dhe punimet ishin të paligjshme.

Tre administratorët e sipërpërmendur akuzohen po ashtu për falsifikim e përdorim dokumentesh të falsifikuara në bashkëpunim dhe shkatërrim të pronës me mjete te tjera.

Ndërkohë, të pandehur janë edhe 6 persona të tjerë, tre biznesmenë të zhavorrit, dy inspektorë të mjedisit të Bashkisë Selenicë dhe një ish-drejtues i Inspektoratit Shtetëror të Ujërave, Dega Vlorë.

Sipas prokurorisë Vasil Dema, administrator i So.Ma.Ta Shpk, Arjan Memetaj administrator i Mehmetaj 2002 sh.p.k. dhe Robert Leskaj administrator i Leskaj sh.p.k, akuzohen për shkatërrim të pronës, pasi shfrytëzonin pa leje shtratin e lumit Shushicë.

Ndërkohë që Bardhyl Balilaj, ish-drejtues i Inspektoratit Shtetëror të Ujërave Dega Rajonale Vlorë dhe dy inspektorët e mjedisit, Luan Binaj dhe Lisandër Bajramaj akuzohen për “shpërdorim detyre”.

Hetimet nisën në fillim të vitit 2018, kryesisht pas denoncimeve për shfrytëzim të paligjshëm të shtratit të lumit Shushicë, duke sjellë sipas prokurorisë “rrezik për përmbytje” dhe njëkohësisht një dëm prej 15 milion lekësh, rentë minerare e papaguar.

REKLAMO NE REALNEWS +355 69 33 33 303