U kthye në makthin e qytetarëve, ja ç’bënte 39-vjeçari në mes të Tiranës

Policia e Tiranës ka vënë në pranga një 39 vjeçar, i cili akuzohet se është autori i vjedhjes së disa biçikletave në kryeqytet.

Njoftimi i Policisë:

Komisariati i Policisë Nr. 1, nisur nga shqetësimet e qytetarëve në lidhje me vjedhjet e biçikletave, të ndodhura kohët e fundit në juridiksionin e këtij Komisariati, organizoi punën dhe si rezultat u kap në flagrancë duke tentuar të vjedhë një biçikletë, shtetasi: L. Ç., 39 vjeç, banues në Shkozë, Tiranë (i dënuar më parë për veprën penale “Shfrytëzimi i prostitucionit në rrethana rënduese).

Nga tërësia e veprimeve hetimore të kryera rezulton se ky shtetas është autor edhe i dy rasteve të tjera të vjedhjeve të biçikletave, të ndodhura në juridiksionin e Komisariatit të Policisë Nr. 1.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan: tri biçikleta të vjedhura, praktika noteriale për shitjen e biçikletave të vjedhura; pajisje të përdorura për realizimin e vjedhjeve, si dhe pjesë biçikletash të vjedhura.

Ndërkohë, vijon puna, në bashkëpunim me Prokurorinë, për dokumentimin edhe të disa rasteve të tjera të vjedhjes së biçikletave. Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Vjedhja, e kryer më shumë se një herë”.